Berisha: Rama po bën ligj për të mbrojtur veten nga pezullimi! Koha t’i japim goditjen përfundimtare

Gjatë fjalës së tij, kreu i PD, Sali Berisha, theksoi se momenti politik kërkon bashkimin e të gjithë shqiptarëve për t’i dhënë fund, sipas tij, një qeverisjeje që po dëmton rëndë vendin.

Ai vlerësoi zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare si sinjale të qarta ndaj qeverive me prirje autokratike dhe bëri thirrje për krijimin e një fronti të përbashkët opozitar, duke theksuar se largimi i Edi Ramës është, sipas tij, kusht për rikthimin e normalitetit demokratik në Shqipëri.

Fjala e tij:

Besnik Ala: Pas Davosit edhe Mynihu ia plasi derën në fytyrë Ramaduros. A mendoni që tani është detyra ynë si opozitë të bashkohemi dhe t’i japim goditjen përfundimtare?

Sali Berisha: Mendimi yt është shumë i drejtë. Kjo është një thirrje për të gjithë shqiptarët. Para se të vija këtu, po lexoja një lajm, BE riktheu vizat për të gjithë punonjësit, diplomatët, zyrtarët e Gjeorgjisë si një goditje që i dha autokracisë elektorale gjeorgjiane. Unë e përshëndeta këtë vendim.
Pse? Se edhe ata kishin bërë ligje, njërin e quanin ligji i transparencës, siç do të bëjë Edi Rama ligjin e mbrojtjes së kryeministrit, presidentit, thonë se po fut edhe guvernatorin sa për maskë në mënyrë që të mos mund të pezullohet.
Çdo shqiptar duhet ta kuptojë. Koha e thërret që të bashkohemi në një front të vërtetë dhe t’i japim duart kësaj të keqe kaq të madhe, e cila nuk është kuptuar akoma nga shqiptarët se sa e madhe është dhe se çfarë dëmesh të jashtëzakonshme i ka bërë Shqipërisë.
Megjithatë, ne nuk duhet të biem në dëshpërim, por duhet të bëjmë gjithçka që ta largojmë.