Ministria e Brendshme italiane dënohet me 700 euro dëmshpërblim për transferimin e paligjshëm të një migranti në Gjadër

Nga Alba Kepi

Gjykata e Romës ka dënuar Ministrinë e Brendshme italiane të paguajë 700 euro dëmshpërblim një migranti algjerian 50-vjeçar, i cili kishte kaluar një muaj në mënyrë të paligjshme në Qendrën e Paraburgimit për Riatdhesim (CPR) në Gjadër, Shqipëri.

Vendimi i 10 shkurtit, i firmosur nga gjyqtari Corrado Bile, është i pari që njeh përgjegjësinë e shtetit italian për transferimin e një migranti nga një CPR në Itali drejt një strukture të tillë në Shqipëri.

Sipas trupit gjykues, transferimi ka “ndikuar drejtpërdrejt në të drejtat themelore të mbrojtura nga konventat ndërkombëtare dhe nga Kushtetuta”, duke e cilësuar të paligjshëm veprimin e autoriteteve.

Ngjarja daton më 10 prill të vitit të kaluar. Migranti, i ndaluar në CPR-në e Gradisca d’Isonzo, ishte njoftuar se do të transferohej në CPR-në e Brindizit. Në vend të kësaj, ai u dërgua në Shqipëri, konkretisht në qendrën e Gjadrit, me pranga plastike në kyçe gjatë gjithë udhëtimit. Vetëm pasi mbërriti atje, iu komunikua destinacioni i vërtetë.

Sipas mediave italiane, emigranti jetonte prej shumë vitesh në Itali dhe kishte lidhje familjare në vend. Avokatët e tij kundërshtuan transferimin, duke argumentuar se ai ishte kryer pa bazë të qartë ligjore dhe në shkelje të të drejtave të tij.

Vendimi i Gjykatës së Romës konsiderohet një precedent i rëndësishëm juridik dhe mund të hapë rrugën për padi të tjera të ngjashme nga migrantë të transferuar në qendrat jashtë territorit italian. Çështja pritet të ketë edhe jehonë politike, duke qenë se vjen në një moment të ndjeshëm debatash mbi politikat e emigracionit dhe reformën në drejtësi në Itali.