CR7 edhe biznesmen i zgjuar, planifikon ngritjen e një perandorinë hotelesh dhe baresh në Mbretërinë e Bashkuar

‘Ylli’ i futbollit, Cristiano Ronaldo, aktualisht pjesë e klubit saudit Al-Nassr FC, duket se ka gati planin për të zgjeruar biznesin e tij të hoteleve dhe bareve drejt Mbretërisë së Bashkuar pas tërheqjes nga futbolli profesional.

Sulmuesi 41-vjeçar, i njohur me nofkën CR7, ka bashkëpunuar që nga viti 2016 me rrjetin portugez të hoteleve Pestana Hotels, duke krijuar komplekse të markës ‘Ronaldo’, si hotele dhe bare, dhe tashmë ky partneritet ka aplikuar për regjistrimin e markës edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Aktualisht, brenda Portugalisë funksionojnë lokalet ‘Inverse by Pestana CR7’.

Një burim pranë Ronaldos tha: “Cristiano merr vendime të zgjuara për biznesin e tij. Të tjerët e kanë provuar që ky është një treg i qëndrueshëm. Ai ka financat dhe imazhin për t’i bërë këto projekte jashtëzakonisht të suksesshme.”

Ndërkohë, ‘ylli’ portugez nuk ka bërë të ditur se kur do të tërhiqet nga futbolli profesional, por ky zgjerim agresiv në biznes shihet si një mënyrë për të siguruar të ardhmen e tij pas karrierës sportive.

Burimet theksojnë gjithashtu se Ronaldo mbetet shumë i dashur në Manchester dhe, nëse do të vendoste të hapte një bar apo hotel atje, ka një treg të gatshëm dhe të interesuar. Kjo lëvizje tregon jo vetëm vizionin e tij sportiv, por edhe mençurinë e tij si sipërmarrës.