Tronditje në Lojërat Olimpike/ Ilia Malinin rrëzohet dy herë, Shaidorov fiton medaljen e artë
Një nga netët që pritej të hynte në histori për Lojërat Dimërore u shndërrua në një surprizë të madhe. Favoriti kryesor, patinatori amerikan, Ilia Malinin, i njohur si “Quad God”, nuk arriti të përballonte presionin në programin e lirë të patinazhit artistik, duke i hapur rrugë kazakut Mikhail Shaidorov drejt medaljes së artë.
Pas një paraqitjeje mbresëlënëse në nisje të turneut, pritshmëritë ishin që Malinin të realizonte për herë të parë një ‘Axel të katërfishtë’ në skenën olimpike. Megjithatë, 21-vjeçari ishte i fundit që garoi dhe programi i tij u shoqërua me gabime të njëpasnjëshme. Ai pësoi dy rrëzime dhe dështoi në momentin e ngritjes për ‘Axel-in e katërfishtë’, duke e mbyllur garën në mënyrë zhgënjyese jashtë podiumit, në vendin e tetë. Sipas disa specialistëve, kjo kthesë e papritur mund të konsiderohet si një nga përmbysjet më të mëdha në historinë e Lojërave Olimpike Dimërore.
Dukshëm i tronditur pas garës, Malinin u shpreh pranë pistës: “Nuk e prisja këtë. Ndihesha shumë i përgatitur për këtë kompeticion… sinqerisht, thjesht ndodhi. Nuk po arrij ta përpunoj atë që sapo ndodhi… nuk kam fjalë.”
Megjithatë, ai nuk ishte i vetmi që zhgënjeu. Para tij, edhe disa patinatorë të tjerë gabuan rëndë, mes tyre përfaqësuesi i Francës, Adam Siao Him Fa, i cili dështoi në disa elemente dhe u rrëzua disa herë gjatë programit të tij.
Fituesi i madh i mbrëmjes ishte 21-vjeçari Shaidorov, i cili pa me habi teksa favoritët binin njëri pas tjetrit, ndërsa ai ruante vendin e parë. Medalja e artë e tij shënon suksesin e parë të këtij niveli për Kazakhstanin në këto Lojëra Olimpike, duke e kthyer garën në një moment historik për sportin kazak.