Plumbi i tejshpoi kraharorin, ja gjendja shëndetësore e 18-vjeçares që u plagos në hotel

18-vjeçarja Natalie Murati, e cila dyshohet se u vetëplagos me armë zjarri pas mesnate në një hotel në zonën e Saukut në Tiranë, ndodhet në gjendje stabile në Spitalin e Traumës.

Burime bëjnë me dije se e reja është koshiente dhe ka marrë një plumb në pjesën e kraharorit, me plagë tejshpuese hyrje-dalje. Aktualisht ajo ndodhet në observim dhe po mbahet nën kujdesin e stafit mjekësor.

Për këtë ngjarje, policia ka vënë në pranga Vladimir Gjutën dhe Mirvete Gjutën me akuzën e moskallëzimit të krimit dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Djali që ka qenë në dhomën e hotelit me vajzën është nipi i Vladimir Gjutës, një emër i njohur për policinë. Sipas burimeve, kur është vetëplagosur, Natalie Murati ka qenë vetëm në dhomë dhe jo me të dashurin e saj, Erisjan Gjuta.

Nga marrja në pyetje e oficerëve të policisë rezultoi se ajo dhe shtetasi Erisjan Gjuta kishin qenë në të njëjtën dhomë në ambientet e hotelit në Sauk. Më pas, 18-vjeçarja është dërguar me taksi në Spitalin e Traumës, ndërsa të tjerët janë larguar. Ajo ka deklaruar se është vetëplagosur, por policia ka dyshime se mund të jetë plagosur edhe nga të tjerët, për shkak se në hotel nuk kishte kamera sigurie.

Gjithashtu, gjatë pyetjeve në spital, 18-vjeçarja ka deklaruar se ka bërë disa gabime në jetë, prandaj ka ndërmarrë veprimin ekstrem, dhe se kishte tentuar edhe më parë vetëvrasjen. Fillimisht, në spital, ajo nuk ka treguar mbiemrin e saktë.