Barcelona e Flick-ut tejkalon pritshmëritë, një makinë golash që vendos standarde të reja
Kjo Barcelonë e drejtuar nga Hansi Flick po konfirmohet si një makinë e vërtetë golash, duke vendosur ritëm që pak skuadra në Europë mund ta ndjekin. Skuadra katalanase ka ndërtuar një seri mbresëlënëse në La Liga që zgjat prej më shumë se 14 muajsh me të paktën një gol për ndeshje dhe tani synon të thyejë rekordin historik të ndeshjeve radhazi me gol në kampionat, rekord që mbahet po nga vetë klubi ‘blaugrana’.
Në sfidën e fundit kundër Mallorca-s, në LaLiga, Barcelona realizoi tri herë, por mund të kishte shënuar edhe më shumë. Pas 23 javësh kampionat, katalanasit kanë arritur në kuotën e 63 golave. Në ndeshjen më të fundit në kampionat realizuan Robert Lewandowski, Lamine Yamal dhe Marc Bernal, por forca e këtij ekipi qëndron te shpërndarja e golave. Kur nuk shënojnë këta emra, përgjegjësinë e marrin lojtarë si Dani Olmo, Fermín López apo Raphinha.
Me 99 gola të shënuar në 36 ndeshje në të gjitha garat, Barcelona mban një mesatare mbi 2.5 gola për ndeshje dhe ka gjashtë lojtarë me finalizim dyshifror. Ferran Torres kryeson me 16 gola, ndërsa Yamal dhe Raphinha kanë nga 14 secili. Lewandowski ka realizuar 13 herë, ndërsa Fermín dhe Marcus Rashford kanë nga 10 gola dhe 10 asistime secili. Në futbollin aktual europian, pak skuadra i afrohen këtij prodhimi ofensiv. Mjafton të shihet Real Madridi, ku vetëm Kylian Mbappé ka shifra dyshifrore, çka tregon varësinë e madhe të madrilenëve nga golat e tij.
Barça e Flick-ut pranë kuotës 100 gola
Barcelona e Flick është karakterizuar nga një prodhim i jashtëzakonshëm ofensiv që prej sezonit të kaluar. Në vitin e tij të parë në stol, tekniku gjerman e çoi ekipin në 174 gola sezonalë, shifra e tretë më e mirë në historinë e klubit. Këtë sezon, skuadra katalanase është vetëm një gol larg kuotës simbolike prej 100 realizimesh, ndërsa ende mbetet për t’u luajtur më shumë se një e treta e sezonit.
Ndryshe nga sezoni i kaluar, kur Lewandowski ishte protagonisti absolut me 42 gola, tani përgjegjësia për golat është shpërndarë më gjerësisht. Lewandowski ka 13 realizime, Ferran Torres kryeson me 16, Yamal ka 15, ndërsa barazohet me Raphinhan në kuotën 13. Rashford dhe Fermín kanë nga 10 gola secili. Shpërndarja e 99 golave është si vijon: 63 në LaLiga, 22 në UEFA Champions League, 6 në Copa del Rey dhe 8 në Supercopa de España. Në 36 ndeshje, mesatarja arrin në 2.75 gola për takim.
Rekordi absolut i klubit, 190 gola në sezonin 2011/12 nën drejtimin e Pep Guardiola, me Lionel Messi autor të 73 golave, mbetet ende shumë i vështirë për t’u arritur. Edhe pse Barcelona ka rreth 25 ndeshje të mundshme përpara, do të duhej një mesatare prej katër golash për ndeshje për ta thyer atë rekord. Megjithatë, katalanasit tashmë kanë krijuar një diferencë të ndjeshme ndaj Real Madridit, që ka shënuar 77 gola, plot 22 më pak se rivali i tyre i madh.