Milan, provë pjekurie ndaj Pisas, triumf që rrit presionin mbi Interin
Milan arriti një fitore të rëndësishme në transfertë kundër Pisa-s, një sukses që konsiderohet si prova e pjekurisë së skuadrës kuqezi dhe që rrit presionin mbi Interin në garën për kreun. Pas kësaj fitoreje, Milani afrohet në minus pesë pikë nga rivalët e qytetit dhe sheh me optimizëm ndeshjen e prapambetur ndaj Como-s, ku mund të ngushtojë edhe më shumë diferencën.
Trajneri Massimiliano Allegri vlerësoi veçanërisht paraqitjen e Luka Modrić-it, autor i golit vendimtar. “Është një lojtar i jashtëzakonshëm, të gjithë duhet të mësojmë nga përulësia e tij”, theksoi Allegri pas ndeshjes. Në stadiumin ‘Arena Garibaldi’, Milani e vuri veten në vështirësi në disa momente, duke konfirmuar luhatjet e këtij sezoni kundër skuadrave të renditura më poshtë. Megjithatë, kjo ndeshje mund të përfaqësojë kthesën e shumëpritur për kuqezinjtë.
Zgjidhjet taktike të Allegrit dhanë rezultat, veçanërisht aktivizimi i Ruben Loftus-Cheek në repartin ofensiv, i cili gjeti rrugën e rrjetës. Ndërkohë, Niclas Füllkrug humbi një penallti që mund të kishte mbyllur më herët ndeshjen, por prania e tij në sulm mbetet e rëndësishme për ekuilibrat e ekipit. Nota e vetme negative ishte kartoni i kuq për Adrien Rabiot, i ndëshkuar pas protestave ndaj arbitrit, një mungesë që mund të peshojë në sfidat e ardhshme.
Pavarësisht kësaj, Milani feston tri pikë me shumë vlerë dhe afrohet gjithnjë e më shumë me objektivin kryesor të sezonit: kualifikimin në Ligën e Kampionëve.