'Haram vota! Turp!' Banorët e prekur nga projekti TID takim me Ramën, i shkon 1 orë me vonesë, ata e presin me pankarta
Banorët e prekur nga projekti TID janë mbledhur sërish sot para bashkisë së Durrësit. Atyre u është njoftuar se do të kishin një takim me kryeministrin Edi Rama në orën 10:00 por kryeministri mbërriti 1 orë me vonesë.
Ndërkohë policët ruajnë derën e godinës së bashkisë e cila duhej të ishte e hapur për banorët e saj.
Banorët kanë shtruar në shesh pankarta ku kanë shkruar “Shtëpitë janë tonat” ‘I kemi mbrojtur me gjak’ Bashkia po na heq nga banesat po na nxjerr në rrugë. Haram vota! Turp! Grabitës!”
Një përfaqësi e banorëve do të takohet me kryeministrin.
Tre ditë më parë banorëve u është dërguar një shkresë ku i kërkohet që të lëshojnë shtëpitë deri më 16 shkurt pasi do u shemben, ndërkohë banorët janë shprehur të vendosur se nuk do të dalin nga banesa. Ata kundërshtojnë kompensimin për shpronësimet të ofruar nga bashkia e qytetit bregdetar pasi nuk reflektonte çmimet e tregut dhe banorët e lagjes historike të qytetit rrezikojnë të mbeten të pastrehë.
Bashkia u ka thënë banorëve autoktonë që kanë banesat në qendër të Durrësit, do të marrin banesat në periferi të Durrësit, pikërisht në zonën e Kënetës dhe ata e kundërshtojnë.
Banorët e zonës së amfiteatrit në Durrës preken nga i ashtuquajturi projekti TID – i cili synon rrjetëzimin urban të bulevardit Epidamn përmes një marrëveshje bashkëpunimi mes Fondit Shqiptaro Amerikan të Zhvillimit, Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Durrësit.