Bajraktari i shkruan Trump për Specialen: Kërkon angazhim të SHBA-ve për ‘gjykim të drejtë’ ndaj ish-udhëheqësve të UÇK
Biznesmeni dhe veprimtari i njohur shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari ka bërë të ditur se i ka dërguar një letër zyrtare presidentit amerikan Donald Trump, në të cilën shpreh shqetësimin e tij lidhur me proceset që po zhvillohen në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Përmes një postimi në FB, Bajraktari thekson se, në cilësinë e një qytetari amerikan dhe përfaqësuesi të komunitetit shqiptaro-amerikan, ka kërkuar nga Trump që Shtetet e Bashkuara të angazhohen për të siguruar që Dhomat e Specializuara të Kosovëstë garantojnë një proces të drejtë dhe të paanshëm.
Në letër përmenden emrat e ish-udhëheqësve të UÇK-së që po përballen me akuza në Hagë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, si dhe të tjerë ish-pjesëtarë të Ushtria Çlirimtare e Kosovës që po mbahen në paraburgim.
Thirrje për rol aktiv të SHBA-ve
Sipas Bajraktarit, SHBA-të kanë pasur një rol vendimtar në historinë e Kosovës dhe, për këtë arsye, duhet të jenë të përfshira për të garantuar që drejtësia të zbatohet në mënyrë të barabartë dhe transparente. Ai nënvizon rëndësinë e respektimit të standardeve ndërkombëtare të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut gjatë këtij procesi.
Kush është Harry Bajraktari?
Harry Bajraktari është një biznesmen shqiptaro-amerikan me veprimtari të gjatë në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht në fushën e pasurive të paluajtshme dhe medias. Ai është njohur si aktivist i çështjes shqiptare në SHBA dhe ka qenë i angazhuar për dekada në lobim dhe mbështetje të proceseve politike që lidhen me Kosovën dhe të drejtat e shqiptarëve në Ballkan.
Bajraktari ka mbajtur qëndrime publike në mbështetje të ish-udhëheqësve të dalë nga lufta e UÇK-së dhe ka organizuar apo mbështetur aktivitete të komunitetit shqiptaro-amerikan në SHBA.
Letra e tij ndaj Trump vjen në një kohë kur procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së po vazhdon dhe prokuria ka dhënë pretencën për dënimin e secilit me nga 45 vite burg.
Kjo mbetet një nga temat më të debatueshme në opinionin publik në Shqipëri-Kosovë dhe në diasporë.