Memolla në burg për korrupsion në zgjedhje, ‘Piranjat’ rikthejnë denoncimin për nepotizëm

Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, është arrestuar pas dënimit me 1 vit burg për korrupsion aktiv në zgjedhje. Hetimi nisi pas publikimit të SYRI TV të një audio-përgjimi ku ai kërkonte favor për një abonent në këmbim të votës. Por ish-Kreu i bashkisë Rrogozhinë është denoncuar më herët edhe nga ‘Piranjat’ për nepotizëm në bashki, me familjarë dhe të afërm të punësuar në poste kyçe, akuza të cilat ai i ka mohuar. Piranjat rikthejnë edhe një herë në vëmendje denoncimin e kryer para pak kohësh

SYRI TV

Kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, është arrestuar pas vendimit të formës së prerë nga Gjykata e Posaçme e Apelit, e cila la në fuqi dënimin me 1 vit burg për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim. Hetimet nisën pas publikimit ekskluziv në SYRI TV të një audio-përgjimi, ku sipas SPAK, Memolla dëgjohej duke ndërhyrë pranë një punonjësi të OSHEE-së për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim sigurimin e votës në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit 2022, kohë kur ai kandidonte për kryetar bashkie. Por kjo nuk është hera e parë që emri i tij lidhet me skandale. Disa muaj më parë ‘Piranjat’ denoncuan fenomenin e nepotizmit në Bashkinë e Rrogozhinës, ndërkohë që ky program i rikthehet edhe një herë denoncimit të këtij skandali. Sipas ‘Piranjave’ në pozicione kyçe të bashkisë që Memolla drejtonte deri pak ditë më parë, rezultojnë të punësuar familjarë dhe të afërm të tij, që nga këshilltarë dhe drejtues drejtorish, tek poste administrative dhe shërbimi. Emra të afërt familjarë figurojnë në financë, arsim, kulturë, protokoll, shërbime dhe administratë. Madje, në një rast u konstatua edhe një punonjës që paguhej nga bashkia, por që në orarin zyrtar shiste fruta-perime në treg.

Vetë Memolla i ka mohuar akuzat për favorizim të të afërmve, duke deklaruar se nuk ka lidhje familjare me personat në fjalë.

Megjithatë, arrestimi për korrupsion zgjedhor dhe akuzat për punësime familjare hedhin hije të forta dyshimi mbi mënyrën e drejtimit të Bashkisë së Rrogozhinës.