VIDEO/ Eterniti rrezikon jetën e të moshuarve, Bashkia e Lushnjës nuk merr asnjë masë
Një magazinë e rrënuar e ish-pesticideve në fshatin Hysgjokaj të Lushnjes po kthehet në rrezik serioz për shëndetin e një çifti të moshuarish që jetojnë ngjitur me të. Çatia e objektit, e përbërë nga eterniti (cimento me përmbajtje asbesti), është amortizuar dhe shpërndan pluhur të dëmshëm, ndërsa në ambientet e brendshme pretendohet se kanë mbetur edhe mbetje kimike prej dekadash.
Nazmie dhe Namik Sharka jetojnë prej rreth 20 vitesh pranë magazinës. Ata thonë se prej vitesh përballen me probleme shëndetësore. Sipas një dokumenti nga qendra shëndetësore e zonës, infeksionet në lëkurë të zonjës Nazmie lidhen me kontaktin me ambientin pranë ish-magazinës. Ndërkohë, Namiku ka qenë i shtruar në sanatorium për probleme me frymëmarrjen.
Situata u përkeqësua tre vite më parë, kur godina u shemb pjesërisht gjatë natës, duke ekspozuar më shumë materialet e rrezikshme. Çifti është detyruar të mbyllë edhe serat, të vetmin burim të ardhurash, nga frika e ndotjes.
Pas ankesave të përsëritura, Bashkia e Lushnjës ka kryer verifikime dhe ka konfirmuar praninë e materialeve me eternit në rrënoja, duke kërkuar konsultim nga institucionet mjedisore. Agjencia Rajonale e Mjedisit në Fier deklaron se rasti nuk është në kompetencën e saj, pasi objekti nuk është subjekt me leje mjedisore, ndërsa procedura e asgjësimit mbetet e paqartë për shkak të pronësisë së paidentifikuar të godinës, e cila figuron pronë shtetërore, por jo e bashkisë.
Në mungesë të një zgjidhjeje konkrete, Nazmia dhe Namiku kërkojnë ndërhyrje urgjente për largimin dhe asgjësimin e materialeve të rrezikshme. Deri atëherë, ata vazhdojnë të jetojnë çdo ditë mes pluhurit të asbestit dhe frikës për shëndetin. Ndërkohë që, eksperti i mjedisit, Lavdosh Ferrunaj, i bën thirrje Bashkisë së Lushnjës të marrë masa urgjente, sepse ky është një rast alarmant, duke qenë se sipas tij ekspozimi për një kohë të gjatë ndaj eternitit mund të shkaktojë edhe sëmundje të pashërueshme.