Zonja nga Shkodra thyen kaviljen, mjeku e operon keq dhe e lë invalide, 65-vjeçarja: Më mori në qafë shoku i djalit

Historia e zonjës nga Shkodra Miriana Karini e ka zanafillën në vitin 2019, kur ajo kishte dalë në qytet për të pirë një kafe me familjarët e saj. Në lokal rrëzohet dhe thyen kaviljen, por nuk kishte besim të plotë në spital shtetëror dhe kërkoi ndihmë që të operohej në një spital privat. Shoku i djalit të saj, Saimir Suma, i dërgon nga Tirana ambulancën e Spitalit Gjerman, por zonja kur mbërrin në kryeqytet e gjen veten në një tjetër ambient, në Poliklinikën Mjekësore Gjermane. E vetmja gjë e përbashkët mes tyre është fjala gjerman.

Administratori i Poliklinikës Mjekësore Gjermane ishte z.Ardian Kazaferi dhe mjeku serb Gordan Gavrillovic, i njejti mjek që kreu edhe operacionin e zonjës Karini. Pasi mbaroi ndërhyrja, asaj iu tha se operacioni kishte dalë me sukses, por fatkeqësisht do të ishte krejt e kundërta. Dhimbjet në këmbën e saj ishin të tmerrshme dhe 24 orë e mbante me akull. Fiziterapia kryhej, por dhimbjet e saj ishin të padurueshme. U bënë disa grafi, disa kontrolle, por zonjës Karini iu tha se nuk kishte asgjë dhe se gjithçka do të kalonte. 59-vjeçarja asokohe pinte edhe ilaçe të rekomanduara nga mjekët për uljen e dhimbjeve, por asnjë përmirësim. Me këmbënguljen e familjes u bë një rezonancë, por përgjigjet e saj nuk u dhanë asnjëherë, prej frikës së stafit se do të zbulohej gjithçka e gabuar që ishte bërë gjatë operacionit. 

“500euro më bëri ambulanca, 5000euro te Poliklinika, 5500euro kemi paguar për këtë hata”, shprehet zonja Karini, pa e ditur që hataja e vërtetë do të vinte më pas.

Sërish me këmbënguljen e familjarëve, ajo shkoi në Spitalin e Shkodrës dhe bëri grafi, atje ku u vunë re 23 kocka të thyera në shpinën e këmbës së saj, të cilat kishin filluar të ngjiteshin vetë.

“Merre me mend se çfarë hataje ka qenë. Unë bëja fizioterapi me këmbë të thyer. U kapte këmba u shtrëngonte për të bërë lëvizje. Unë bërtisja. Fizioterapisti më thoshte:‘Janë duke të shërbyer 2 burra këtu me gjithë këtë lezet dhe ti bërtet’! I thosha:‘Po më dhemb more, më del prej shpirti’!”

Pasi këtij konstatimi, ata menjëherë ata u nisën për në Turqi. Atje mjeku u trondit nga ajo që pa.

“Çfarë paskan bërë moj, i kanë vënë protezë më të madhe, prandaj ka këto siklete mami”, i ishte drejtuar ai vajzës së Mirianës.

Për ta sqaruar, mjeku serb që kishte bërë ndërhyrjen, kishte përshtatur në këmbën e majtë të Mirjanës një protezë më të madhe se ajo që duhej, më të gjatë dhe më të trashë, duke i shkaktuar asaj dëmtime të pariparueshme siç ishte hollimi i kockës, zhvendosja e kupës së gjurit dhe këputja e nervit shiatik, duke e lënë 65-vjeçaren invalide për gjithë jetën.

Trajtimi i saj vijoi në Turqi dhe më pas në Shqipëri, duke u përmirësuar dita ditës. Thuhet gjithmonë, shëndeti mbi të gjitha, por në rastin e Mirjanës, dëmet shëndetësore kanë ecur paralel edhe me shpenzimet marramendëse.

“U krijua edhe një gropë e madhe financiare. Dëmtova komplet familjen. U mblodh një siklet i madh. Mbasi u ktheva nga Turqia deri tani unë nuk kam përfituar asgjë, vetëm humbje të njëpasnjëshme. Duke patur parasysh gjithë këto gjëra, gjithë ky dëm, mora vendimin me i hedh në gjyq për gjymtimin që më kanë bërë. Kjo është historia ime....”, shprehet ajo për gazetarin e emisionit investigative “Piranjat”, Freard Rista.