Mediu këmbëngul: Ministrat teknikë duhet të largohen urgjentisht nga qeveria që nuk ekziston

Çfarë e penalizoi opozitën në zgjedhje? Pse aleatët nuk prodhuan vota në favor të PD-së? Çfarë duhet të bëjë e djathta për t’u ringritur? A duhet të vijojë marrëveshja Rama-Basha dhe cili është raporti që duhet të krijojë PD kundrejt LSI-së? Kryerepublikani Fatmir Mediu jep përgjigjet e tij në një intervistë për gazetën “Mapo”

Z.Mediu, Partia Demokratike si opozitë mori 195 mijë vota më pak krahasuar me rezultatin e 2013-ës…, ndërkohë që edhe dalja e saj në bllok si opozitë nuk e ndihmoi aspak atë në rritje votash. Çfarë e penalizoi më shumë PD-në në këto zgjedhje?

Mendoj se nga këto zgjedhje dolën të penalizuar shqiptarët. OSBE/ODHIR në raportin paraprak ka theksuar se: “Blerja masive e votave, intimidimi i votuesve dhe pjesëmarrja e administratës në zgjedhje cenuan rëndë besimin në zgjedhje”. Rama nga një qeverisje e korruptuar për 4 vjet, po tenton që të korruptojë dhe kontrollojë gjithë shoqërinë.

Mjafton të marr dy aspekte: kanabizimin e Shqipërisë, si dhe përdorimin e parave të drogës dhe korrupsionit për të blerë votat së bashku me aleatët që kishte 4 vjet në qeverisje. Rama sot ka një pushtet absolut, që do të thotë korrupsion absolut. Linja e tij politike bazohet në linjat e “Revolucionit të butë” të komunistit Antonio Gramsci, duke zbatuar praktikat e Hugo Chavez me politikën e masave dhe ndërtimin e strukturave paralele joligjore të botës së krimit që kërcënojnë e dhunojnë këdo që është kundër interesave politikë dhe ekonomikë të socialistëve.

Është e vërtetë që shqiptarët nuk kanë parë gjë akoma, sepse do të jetë akoma më keq. Për t’i dhënë përgjigje pyetjes suaj theksoj se: opozita dështoi që të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme.

*Marrëveshja Rama-Basha nuk u zbatua nga socialistët dhe pjesëmarrja e ministrave teknikë u kthye thjesht në një akt formal, pa mundur të garantojë një optimum zgjedhor edhe pse ministrat u angazhuan seriozisht.

*Opozita ishte bllok në dukje, por gabimisht përfaqësuesit e partive të tjera të koalicionit u vendosën si deputetë zone të PD, duke lënë në pasivitet total strukturat dhe votuesit e tyre. Kjo bëri që në gjithë zonat elektorale të mos maksimalizoheshin votat që kishin partitë e tyre. Strukturat dhe individët konkurrues të partive të tjera u injoruan ose u anashkaluan.

*Programi ishte program i mirë, por i prezantuar në një kohë të shkurtër, në pamundësi për t’u përcjellë, kuptuar dhe pranuar nga votuesit.

*Fushata ndoshta për shkak të marrëveshjes humbi adrenalinën e saj dhe shumë votues opozitarë kundër Ramës nuk arritën të kuptonin dhe pranonin këtë marrëveshje, gjë e cila krijoi percepsionin e gabuar, por dhe të stimuluar nga Rama dhe media pranë tij që PD të shihej si pjesë e qeverisë apo do ishte pjesë e qeverisë mbas zgjedhjeve. Kjo ishte një strategji e ndjekur në mënyrë diabolike, por me mençuri nga Rama.

*U krijua një përshtypje e gabuar se Rama ishte pjesë e zgjidhjes nëpërmjet marrëveshjes dhe bashkëpunimit, ndërsa problemi ishte vetëm LSI, gjë tërësisht e gabuar sepse PS dhe LSI apo Rama-Meta kanë qenë pjesë e të njëjtit problem për 4 vite të dy bashkëkryetar.

*Mosnjohja e thelbit të marrëveshjes apo transparencës së diskutimeve që çuan në marrëveshje, krijuan paqartësi dhe konfuzion. Gjithmonë u pretendua se marrëveshja ishte shumë më tepër se ajo që u bë publike dhe kjo mbahej si një raport i dy drejtuesve Rama dhe Basha. Kjo mund të mos ketë asnjë të vërtetë, por besoj që krijoi mosbesim te të djathtët, të cilët e shihnin Ramën si përgjegjësin dhe kundërshtarin kryesor politik. Ne duhet ta trajtonim mazhorancën si një e keqe për vendin pa dallim.

*Mendoj gjithashtu se problemi me listat e kandidatëve ishte evident jo vetëm me largimin e disa figurave të PD-së që kishin raport publik dhe elektoral, por edhe për faktin se pjesa më e madhe e kandidatëve të rinj nuk njiheshin nga publiku dhe nuk kishin lidhje me strukturat e PD-së, si dhe nuk patën mundësi në një kohë të shkurtër të njihen nga votuesit edhe të zonave të tyre. 

*Republika e Re në koncept do ishte Republika e qytetarëve të përfaqësuar nga njerëz me vlera intelektuale dhe morale, por që për fatin e keq askush nuk mundi t’i njohë, për shkak të kohës së shkurtër, për shkak se ishin figura jopublike dhe në pamundësi të zhvillonin fushatë të gjerë mediatike. Më kuptoni, nuk kam asnjë vërejtje për formimin dhe integritetin e tyre, por mendoj se kur kandidon për deputet duhet një kohë që të njohësh strukturat dhe të krijosh impakt me publikun. *Lufta e PD-së ndaj LSI i dha pa të drejtë kësaj të fundit tiparet e opozitës dhe ne tiparet e qeverisë.

Pse partitë aleate nuk arritën të prodhonin një rezultat pozitiv për PD-në në këto zgjedhje?

Partitë aleate u shkrinë dhe nuk u integruan në proces. Siç e theksova më sipër ato u konsideruan si kandidatë zone të PD-së dhe impakti i tyre elektoral ishte minimal.

Dalja vetëm nën logon e PD-së ishte më e disfavorshme se formula tjetër e koalicionit të parashikuar në Kodin Zgjedhor, që i jep çdo partie mundësinë që të mbledhë votat në çdo skaj të Shqipërisë dhe përfituesja kryesore do të ishte PD.

Po ashtu, ishte e domosdoshme që partitë dhe liderët e koalicionit të lëviznin në mënyrë të organizuar për të bërë thirrje që të votohej për PD. Nuk u shfaq aspak koalicioni, por vetëm PD dhe spontanisht partitë e tjera ose fare.

PR për shkak të domosdoshmërisë ligjore për të qenë në fletën e votimit, ka marrë gabimisht rreth 5000 vota me gjithë angazhimet elektorale të lidershipit të PR, duke bërë thirrje të votohej për PD.

Çfarë mendoni se duhet të korrigjojë Lulzim Basha në këtë mandat të ri në raport me të bërit opozitë? A mund të ringrihet e si mund të ringrihet e djathta sërish? 

Mendoj se është detyrim jo vetëm i Bashës, por i çdo demokrati, republikani dhe të djathti të riorganizojnë të djathtën.

Kemi nevojë për një inventar të Shtëpisë sonë dhe si të bëjmë të qartë se si e duam të ardhmen e qytetarëve tanë, qeverisë dhe shtetit… Kjo fillon me bazamentin kushtetues, ku guri i themelit të shoqërisë duhet të jetë individi dhe liria e tij, një qeverisje e vogël jo nga numri, por funksionet dhe frenimin e ndërhyrjes së shtetit në të drejtat e individit dhe kufizimin e saj në ndërhyrjen ndaj biznesit, si dhe përgjegjshmëri në shpenzimin e parave publike.

Duhet program i qartë i djathtë, duke konsideruar gabimet e bëra në këto vite, sidomos me të drejtën e pronës dhe të përndjekurit.

Ringjallja e veprimit politik të rinisë si forcë ndryshimi dhe vendimmarrëse dhe jo aneks i partisë.

Strukturë organizative në trajtën e një Federate, ku të përfshihen gjithë subjektet politike të djathta, dhe jo amalgamë partish nga e majta në të djathtë, së bashku me grupet e interesit, pronarë, të përndjekur, biznesmenë, të rinj, si dhe një hapje e vërtetë karshi intelektualëve jo në mënyrë selektive, por nëpërmjet zhvillimit të demokracisë horizontale.

Ndërtimi i një strukture elektorale me një trup të përzgjedhur dhe të përgatitur që mbron dhe numëron votat në çdo qendër votimi.

Hapja e konkurrimit për këdo që do të përfaqësojë opozitën nëpërmjet Primary Elections (Zgjedhjeve Paraprake). Parimi “një anëtar-një votë” siç aplikohet te ne është manipulativ dhe bazohet te parimi komunist i vijës së masave.

Përcaktimi i kandidatëve për konkurrim minimalisht 1 vit para zgjedhjeve.

Lista të hapura me votim preferencial.

Numërimi dhe votimi elektronik.

Domosdoshmëria e votimit të emigrantëve është pjesa më aktive dhe e dobishme e shoqërisë me një ndikim të madh në ekonominë tonë familjare, që është lënë në pamundësi votimi.

Opozita ka nevojë për dy departamente të fuqishme të mendimit. Departamenti i cili analizon qeverinë dhe denoncon çdo paligjshmëri, si dhe Departamenti i Programit dhe alternativës së djathtë, ku duhet të angazhohen një pjesë e madhe e të rinjve.

Denoncimi me fakte i manipulimit në zgjedhje për t’i bërë pjesë të raportit përfundimtar të OSBE/ODHIR, përndryshe interesi dhe angazhimi i ndërkombëtarëve në reformën zgjedhore do të jetë i sipërfaqshëm. Puna e bërë si opozitë në vitin 2001 është një shembull që vlen shumë edhe sot.

Gjatë takimit me përfaqësuesit e Departamentit Amerikan dhe ambasadorin Lu kur sollën propozimin për konsensus për zgjedhjet, z. Yee theksoi se vlerësonte punën e bërë nga opozita në denoncimin e trafikut të narkotikëve, korrupsionit dhe lidhjeve të politikës me krimin dhe kërkoi që ky bashkëpunim të vazhdojë.

Ky bashkëpunim duhet ta kalojë kuadrin deklarativ, por duhet si opozitë të zbulojmë dhe demaskojmë çdo lidhje të qeverisë me botën e krimit, e cila është kthyer në një strukturë paralele joligjore, e armatosur në shërbim të pushtetit.

A mendoni se Basha tashmë i rizgjedhur duhet të vazhdojë bashkëpunimin me Ramën sipas marrëveshjes se 18 majit dhe nëse po, në çfarë kushtesh?

Politika njeh si të domosdoshëm bashkëpunimin për interesat kombëtarë dhe kjo duhet të ndodhë. Për sa i përket zbatimit të marrëveshjes mendoj se dy reformat e rëndësishme, ajo Kushtetuese dhe zgjedhore janë të domosdoshme. Të dyja kërkojnë një gjykim politik dhe teknik, njëherë brenda opozitës përpara se të nisë procesi me mazhorancën. Kjo është një punë urgjente.

Duke mbetur te marrëveshja, përmes dy publikimesh në faqen tuaj në Facebook ju argumentoni arsyet se pse Basha duhet të tërheqë ministrat e tij. Por a e keni një përgjigje për nënkryetarin e PD-së, Edmond Spaho, i cili e konsideron sugjerimin tuaj thjesht lodër fjale që nuk keni se çfarë të sugjeroni tjetër?

Respektoj çdo mendim për këtë çështje, por kam bindjen time që i qëndroj dhe kam renditur rreth 10 arsye, po janë dhe me tepër politike, juridike dhe morale që ministrat teknikë duhet të largohen urgjentisht nga qeveria që nuk ekziston.

Unë mendoj se Spaho ka mendimin e tij. Unë jam marrë me fushatën dhe kam dhënë gjykimin tim dhe për këtë nuk kërkoj ndonjë miratim paraprak nga askush.

Nisur nga rezultati i 25 qershorit, duket se thirrja e vazhdueshme e Bashës drejtuar demokratëve në raport me LSI-në nuk u përkthye në votë. Rrjedhje votash nga PD-ja drejt kësaj force politike u pa sërish si në zgjedhjet e 2013-ës. Në kushtet kur LSI-ja është deklaruar se do të jetë në opozitë, a duhet të bashkëpunojë PD-ja me këtë forcë politike kundër qeverisë së re Rama? Nëse po, si duhet të jetë forma e bashkëpunimit mes tyre?

Pa dashur t’i kthehem dhe njëherë analizës së zgjedhjeve, dua të them se rritja e votave të partive të koalicionit ishte rezultat i trysnisë së pushtetit dhe blerjes masive të votave dhe asnjë lloj alternative qeverisëse apo rezultati qeverisës në katër vitet e kaluara. Ka qenë qeveria më e korruptuar dhe më e kompromentuar.

Varfëria dhe presioni i pushtetit jo gjithmonë krijon reagim në shoqëri, ndonjëherë ndodh e kundërta, bojkotim të zgjedhjeve siç ndodhi, apo apati dhe dorëzim të përfitimit të ditës duke shitur votën apo duke iu dorëzuar presionit të krimit të lidhur me pushtet.

Në Shqipëri po humbet roli dhe pesha e partive politike. Individë të inkriminuar apo të lidhur me krimin kanë një impakt elektoral dukshëm më të madh se partitë politike, sidomos kur janë miq të kryeministrit.

Ne do jemi në opozitë, po ashtu dhe LSI, dallimi do jetë dhe duhet të jetë i qartë. Ne të djathtë, ata të majtë. Po ashtu nëse reforma të rëndësishme kërkojnë bashkëpunim me mazhorancën si ajo kushtetuese dhe zgjedhore, bashkëpunimi me çdo deputet apo forcë politike opozitare në raste të caktuara do të jetë më se i natyrshëm.

Nuk mendoj se ka nevojë për front opozitar, por për forcë opozitare dhe qytetare./Intervistoi: Nevila Perndoj