Pas dy thirrjeve në SPAK, Ramës i ikën edhe Ëngjëll Agaçi, pas 13 vitesh në kryeministri

Në vitin e 14 të qeverisjes, Edi Rama ka lënë të ikë një prej bashkëpunëtorëve të tij më të vjetër në kryeministri, Ëngjëll Agaçin, zyrtarisht sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, por realisht shumë më tepër se aq, një lloj ‘ustai’ i ligjeve, një mjeshtër për t’i dhënë formë ideve kontroverse të Ramës për menaxhimin e pasurive publike, në veçanti kur duhej të shmangej një rrezik penal.

Deri vonë, Agaçi ia doli të ruajë një profil të ulët publik, pa u përfshirë në jetën publike, por duke ruajtur në prapaskenë ndikimin e personazhit që ‘rregullon letrat’ për projekte të rëndësishme qeveritare. Vitet e fundit ai e pati të vështirë t’u fshihej kamerave për shkak se herë pas here thirrej në SPAK.

Agaçi, një ish avokat që ka ushtruar për shumë vite profesionin në Itali, u lidh me administratën socialiste përmes klientëve të tij, që nuk vinin nga jeta akademike, por mund t’i shërbenin Ramës të vinte në pushtet.

Pasi eshte thirrur disa herë në SPAK, Agaçi ka vendosur te largohet nga Rama.

‘U thirra për inceneratorin e Tiranës. Mendoj se ky nuk duhet të përbëjë një lajm, të gjithë duhet të jemi në dispozicion dhe funksion të organeve të drejtësisë’, u shpreh ai kur doli nga takimi me prokurorët.

Nuk dihet se çfarë provash i vunë para në SPAK, por menjëherë pas kësaj vizite është bërë i ditur largimi i tij nga kabineti i Edi Ramës.

Burime pranë qeverisë thanë se sot pati një takim informal ku dhe janë komunikuar vendimet. Është ende e paqartë nëse Agaçi është shkarkuar apo është dorëhequr nga detyra.

Pasuesja e tij në këtë post të rëndësishëm është Elsonida Rama, e cila aktualisht mban pozicionin e drejtoreshës së Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë.

Pikëpyetjet se përse është thirrur Agaçi në SPAK janë të shumta, pasi ai vetë nuk ka sqaruar asnjëherë se përse është marrë në pyetje.