KAS rrëzon ankesën e ukrainasit, mbetet jashtë ‘Milano-Cortina 2026’

Garuesi ukrainas në skeleton, Vladyslav Heraskevych, nuk do të rikthehet në garë në Milano-Cortina 2026, pasi KAS-i ka hedhur poshtë ankesën e tij.

Heraskevych ishte planifikuar të merrte pjesë në garë, por u ndalua në momentet e fundit për shkak të helmetës së tij, ku paraqiteshin më shumë se 20 sportistë dhe trajnerë ukrainas të vrarë që nga pushtimi rus i Ukrainës.

Autoritetet olimpike i kërkuan ta hiqte helmetën, duke argumentuar se ajo binte ndesh me rregullat.

Pas vendimit, sportisti reagoi për Reuters, duke shprehur zhgënjim të thellë: “Gjykata e Arbitrazhit Sportiv na ka dështuar. Do t’i shqyrtojmë hapat tanë të ardhshëm”.

Më herët, Komiteti Olimpik kishte njoftuar se pas “mundësisë së fundit” që iu dha atletit për të ndryshuar helmetën, ai nuk do të lejohej të niste garën.

Çështja ka ngjallur debat të madh rreth kufirit mes mesazheve personale dhe rregullave të neutralitetit në arenën olimpike, ndërsa për Heraskevych-in aventura në “Milano-Cortina 2026” përfundon para kohe.