Pulisic tregon ‘sekretin’ për të jetuar në Itali: Kurrë mos i prit makaronat me thikë

“Ylli’ amerikan i Milanit, Christian Pulisic, ka rrëfyer me humor se përshtatja me jetën në Itali nuk ka të bëjë vetëm me futbollin, por edhe me respektimin e disa rregullave të pashkruara, sidomos në tryezë. Në një intervistë për Access Hollywood, ai tregoi se ka mësuar disa “dogma” kulturore që italianët i marrin shumë seriozisht.

Pulisic shpjegoi se, përveç mësimit të gjuhës, një nga gjërat që i ka bërë më shumë përshtypje është zakoni i kafesë. Ai foli me shaka për tabunë e kapuçinos pas orës 11:00, duke thënë se italianëve nuk u pëlqen të shtohet qumësht në kafe pas një ore të caktuar të ditës. Megjithatë, rregulli më i rëndësishëm, sipas tij, lidhet me mënyrën se si hahen makaronat.

“Mos i prit kurrë makaronat me thikë dhe gjithçka do të shkojë mirë”, u shpreh ai duke qeshur. Me këtë koment, sulmuesi i Milan-it tregoi se është integruar mirë në kulturën italiane dhe se u kushton vëmendje detajeve të vogla që për vendasit kanë rëndësi të madhe.

Deklaratat e tij janë pritur me simpati nga tifozët, të cilët e vlerësojnë jo vetëm për paraqitjet në fushë, por edhe për respektin ndaj zakoneve lokale. Për Pulisic, përshtatja me stilin e jetës italian duket se është bërë pjesë e rëndësishme e eksperiencës së tij si futbollist në Serie A.