Trump u jep falje presidenciale pesë ish-lojtarëve të NFL-së, shumica për çështje droge
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dha të enjten falje presidenciale për pesë ish-lojtarë të Ligës Kombëtare të Futbollit Amerikan (NFL) që kishin përfunduar dënime federale për krime të ndryshme.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, të përfshirët janë Joe Klecko, Nate Newton, Jamal Lewis, Travis Henry dhe i ndjeri Billy Cannon. Krimet e tyre përfshinin deklarata të rrreme para gjykatës dhe shkelje të ligjit për drogë. Vendimi vjen si pjesë e angazhimit të Trump për të ofruar “mundësi të dyta” për personat që kanë përfunduar dënimet dhe janë përpjekur të rindërtojnë jetën e tyre.
“Siç na kujton futbolli, ekselenca bazohet te vendosmëria, mirësia dhe guximi për t’u ringjallur. Kështu është edhe kombi ynë,” shkroi Johnson, këshilltare presidenciale për faljet, në rrjetet sociale.
Midis rasteve të njohura:
Joe Klecko, ish-ylli i New York Jets, ishte shpallur fajtor për dëshmi të rreme në vitin 1993, pasi kishte gënjyer një juri federale që hetonte një mashtrim sigurimi.
Nate Newton u shpall fajtor për trafik droge në 2002, pas kapjes së 79 kg marihuanë dhe 10,000 dollarë në automjetin e tij.
Jamal Lewis, ish-lojtar i Baltimore Ravens dhe Cleveland Browns, u shpall fajtor për drogë në vitin 2000, duke përdorur telefonin për të përmbyllur një marrëveshje të paligjshme pak pas zgjedhjes së tij në draft.
Travis Henry u shpall fajtor për komplot për trafik kokainë në 2009, duke financuar një rrjet të shpërndarjes së drogës midis Colorado-s dhe Montana-s.
Billy Cannon, tashmë i ndjerë, i cili kishte luajtur për Houston Oilers, Oakland Raiders dhe Kansas City Chiefs, kishte falsifikuar para në vitet 1980 dhe vdiq në 2018.
Ky vendim vjen pas një serie faljesh të tjera të diskutueshme nga Trump, përfshirë ish-lojtarin e bejsbollit, Darryl Strawberry, dhe të gjithë të akuzuarit për sulmin në Capitol më 6 janar 2021. Vendimi i fundit ka për qëllim të japë një mundësi të re për ish-lojtarët që kanë përfunduar dënimet dhe po përpiqen të rindërtojnë jetën e tyre.
Falja presidenciale konsiston në një vendim zyrtar të presidentit që heq ose lehtëson pasojat ligjore të një dënimi, qoftë ai ende në fuqi ose tashmë i kryer. Ajo nuk fshin gjithmonë të dhënat e shkeljes, por shlyen përgjegjësinë ligjore ndaj shtetit, duke u dhënë individëve mundësi të rikuperojnë të drejtat e tyre, të shmangin pengesa juridike në të ardhmen dhe të rifitojnë reputacionin. Në thelb, falja presidenciale është një masë shpërblyese dhe simbolike që njeh përpjekjet e personit për të rehabilituar jetën pas dënimit.