'Gropa dhe baltë prej vitesh'/ Familjet e Fierit kërkojnë rikonstruksion të rrugëve pranë bypass-it Mbrostar–Levan

Banorët e fshatit Daullas (Fier)  kanë zhvilluar sot një protestë për të kërkuar rikonstruksionin e rrugëve të lagjeve të tyre, të cilat janë të pa shtruara dhe të mbushura me gropa dhe baltë për shumë vite.

Rrugët e fshatit, afër bypass-it Mbrostar–Levan dhe rreth rotondës së Spitali turk Fier, janë të amortizuara dhe e bëjnë të vështirë qarkullimin për banorët, sidomos për fëmijët dhe personat e moshuar.

Sipas banorëve, afro 150 familje janë të prekur nga gjendja e këtyre rrugëve, ndërsa për shumë vite nuk është ndërhyrë për t’i asfaltuar apo për të vendosur masat minimale të mirëmbajtjes.

Në protestë kanë marrë pjesë rreth 20 persona, të cilët kërkojnë reagim të menjëhershëm nga autoritetet lokale për rikonstruksionin e rrugëve dhe për të siguruar qarkullim të sigurt për të gjithë komunitetin.

Banorët nënvizojnë se gjendja e rrugëve ka bërë të pamundur transportin e emergjencave, lëvizjen e mjeteve të nevojshme dhe jetesën normale të banorëve. Ata paralajmërojnë se do të intensifikojnë veprimet e tyre nëse nuk marrin përgjigje konkrete nga bashkia dhe institucionet përgjegjëse.