Kulmi i ironisë është të përpiqesh të mashtrosh shqiptarët dhe të huajt me kooptimin e Dash Sulës

Kur Steven Levitsky dhe Lucan Way, dy prej autorëve më të njohur në fushën e studimeve politike, publikuan një libër për autokracitë konkurruese, përshkrimi i tyre i shkon për shtat në çdo hap sistemit që ka ndërtuar Edi Rama.

Një sistem ku zgjedhjet janë fasadë dhe konkurrenca është vetëm për të mashtruar jo vetëm qytetarët e vendit, por sidomos ndërkombëtarët. Një pluralizim i rremë, në thelb të të cilit është apatia dhe cinizmi.

Levitsky dhe Way nuk flasin për opozitën e opozitës, por më së shumti i referohen kooptimit dhe neutralizimit të opozitës.

“Kooptimi i figurave të opozitës në institucionet shtetërore e zbeh vijën ndarëse midis qeverisë dhe opozitës, duke u dhënë qytetarëve përshtypjen se të gjithë aktorët politikë janë pjesë e të njëjtit rrjet elitar, duke zvogëluar kështu besimin në alternativa politike kuptimplote”, thonë ata.

E përkthyer më ndryshe, qëllimi është që të rritet sa më shumë mosbesimi i njerëzve, duke shtuar cinizmin e tyre se të gjithë mund të blihen, se të gjithë janë njësoj, se alternativat nuk ndryshojnë nga njëra-tjetra, se nuk ia vlen të votojnë e aq më tepër të revoltohen.

Shumëkush mund të mendojë se rasti i Dashnor Sulës përputhet plotësisht me këtë shpjegim.

Por gjatë prezantimit të ish-deputetit demokrat sot si Kryeinspektor i Përgjithshëm, Edi Rama u përpoq të tregojë anën tjetër të kooptimit, atë që merr kuptim vetëm në vendet me demokraci dhe institucione të forta.

Ai tha se Sula duhet të adresojë pikërisht ato kritika që ka bërë kur ishte në opozitë ndaj qeverisjes së tij.

E thënë me fjalë të tjera, institucionet do jenë më të forta tani që do kenë një njeri që do u bëjë opozitën dhe kontrollin nga brenda.

Çfarë mashtrimi. Ky është kulmi i ironisë!

Nuk ka lajthitur ndonjë shqiptar që të besojë se institucionet do bëhen më të forta me Dash Sulën në krye. Askush nuk e beson se ai kapërceu ylberin për arsye parimore.

Por Rama nuk u flet shqiptarëve, ai vazhdon të besojë se do mashtrojë të huajt për çështjen e kooptimit, kur çdo njeri në faqe të dheut e di se qëllimi i tij është të dobësojë opozitën dhe të nxisë apatinë dhe cinizmin tek shqiptarët.

Dash Sula mund të jetë shfaqur i qeshur sot në krah të Ramës, por nuk duhet të harrojë se ka vetëm një postulat në politikën e vendeve autokratike: “Në vendet ku pushteti është i pakufizuar, kritika nuk ndahet, por blihet”.