GJKKO shpall të pafajshëm Adriatik Logli, 32 të arrestuar të tjerë të dënuar për trafik droge

Gjykata e Posaçme ka shpallur të pafajshëm ish-efektivin Adriatik Logli, i cili ishte akuzuar në kuadër të një operacioni të gjerë për goditjen e një grupi të strukturuar kriminal të kultivimit dhe trafikimit të drogës, ku u arrestuan mbi 40 persona.

Në të njëjtin proces, Xhuliano Aliu u dënua me 5 vite burg, ndërsa Kristi Dautaj me 8 vite heqje lirie. Po këtë të premte, në një seancë të ndarë, u shpall vendimi për tre të pandehur të tjerë: Bujar Brahak, i cili mori 10 vite burg, Hertjan Pjetërgjokaj dhe Elton Ukaj, secili me 8 vite, të cilët përfitojnë zbritje me 1/3 të dënimit për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Mes të akuzuarve ishin edhe Fejzo Meçaj, punonjës i policisë në Komisariatin e Tepelenës, dhe Adriatik Logli, punonjës i Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, të cilët dyshoheshin për shpërdorim detyre. Fillimisht ndaj tyre ishte caktuar masa e arrestit në burg.

Gjatë hetimeve, SPAK evidentoi 13 episode kriminale të trafikimit, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, si dhe kultivimit të bimëve narkotike në qytetet Vlorë, Tepelenë, Durrës, Tiranë dhe Lezhë, nga pesë grupe kriminale të ndryshme.

Veprat e dyshuara kriminale u kryen gjatë periudhës mars–nëntor 2020, dhe sipas SPAK, Meçaj dhe Logli kishin ndihmuar trafikun e lëndëve narkotike, duke lehtësuar aktivitetin e trafikantëve.

Pjesa tjetër e grupeve, përbërë nga 32 persona, u dënuan në total me 200 vite e 6 muaj burg.