Michael O’Neill do të drejtojë njëkohësisht përfaqësuesen e Irlandës së Veriut dhe Blackburn Rovers

Trajneri i përfaqësueses së Irlandës së Veriut, Michael O’Neill, është gati të marrë drejtimin e klubit Blackburn Rovers në Championship, me një marrëveshje që do t’i lejojë të kombinojë detyrat deri në fund të këtij sezoni.

Sipas BBC, pavarësisht se do të fillojë punën në klubin anglez, O’Neill do të vazhdojë të drejtojë përfaqësuesen e Irlandës së Veriut në ndeshjet e rëndësishme të marsit me Italinë në gjysmëfinalen e play-off-it për kualifikimin në Botëror, dhe më pas do të luajnë finalen kundër Uellsit, Bosnjës ose një miqësore, në varësi të rezultatit në Bergamo. Nëse Irlanda e Veriut arrin kualifikimin për në Botëror, O’Neill do të qëndrojë për të drejtuar ekipin edhe në këtë turne, dhe më pas do të marrë drejtimin e Blackburn Rovers në mënyrë të plotë.

Aktualisht, Blackburn Rovers ndodhet në zonën e rënies në Championship, në vendin e 22-të, dhe është pa trajner kryesor që nga largimi i Valérien Ismael më 2 shkurt. Që atëherë, ish-mesfushori i Irlandës së Veriut, Damien Johnson, ka drejtuar ekipin si i përkohshëm dhe pritet të integrohet në stafin teknik të O’Neill për pjesën e mbetur të sezonit.

Nëse marrëveshja me Federatën e Futbollit të Irlandës arrihet shpejt, O’Neill mund të debutojë me Blackburn-in tashmë këtë të shtunë, në ndeshjen ndaj Queens Park Rangers. Trajneri ishte i pranishëm edhe në shortin e Ligës së Kombeve, ku Irlanda e Veriut u vendos në grup me Hungarinë, Ukrainën dhe Gjeorgjinë, por nuk dha deklarata për mediat.

Kjo nuk është hera e parë që O’Neill kombinon detyrat. Në 2020, ai kishte një marrëveshje të ngjashme me Stoke City-n, por vonesa e play-off-it të Euro 2020 për shkak të pandemisë e detyroi të largohej nga përfaqësuesja përpara se të luhej. O’Neill u rikthye në drejtimin e Irlandës së Veriut në vitin 2022, me kontratë të vlefshme deri në përfundim të Euro 2028. Tani, ai synon të kualifikojë Irlandën e Veriut në Botëror pas 40 vitesh dhe për një turne madhor që nga Euro 2016.