Kontrabandonte makina nga Europa dhe shiste pjesët, në pranga pronari i servisit në Fier

Është zbuluar këtë të premte nga policia e Fierit një subjekt ku çmontoheshin dhe shiteshin pjesë automjetesh të dyshuara të kontrabanduara. Sipas njoftimit nga policia, në pranga ka rënë pronari i subjektit, Xh. H., 50 vjeç.

Sakaq, nga ky hetim u zbulua se pronari nuk kishte licencën përkatëse për ushtrimin e këtij aktiviteti dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 4 automjete të cilat ishin pjesërisht të çmontuara dhe pjesë automjetesh.

 “Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Fier, si rezultat i punës hetimore të kryer për një rast të kryerjes së aktivitetit ekomonik, me produkte të kontrabanduara, arrestuan shtetasin: -Xh. H., 50 vjeç, banues në Patos.

Gjatë kontrollit në subjektin e tij (servis automjetesh), në Patos, janë gjetur automjete (pjesërisht të çmontuara) dhe pjesë automjetesh, të dyshuara të kontrabanduara nga shtete të ndryshme të Europës. Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas nuk ishte i pajisur me licencën përkatëse për ushtrimin e këtij aktiviteti.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.