Vrasja që tronditi Gjermaninë/ BILD: Autori është shqiptar i lindur në Greqi
Nga Michaela Steuer, BILD
Disa grushte në trenin rajonal – dy ditë më vonë Serkan Çalar vdes. Fatorinoja po kontrollonte biletat më 2 shkurt në trenin nga Kaiserslautern për në Saarbrücken. Pak pas nisjes nga Landstuhl (Rheinland-Pfalz), ai has në Ioanni V., i cili nuk kishte biletë. Kur Serkan Çalar tentoi ta nxirrte nga treni, sipas dëshmitarëve ai e ka goditur pa pushim në kokë. Që atëherë qarkullojnë thashetheme se autori është një refugjat sirian. Hetimet e BILD tregojnë: kjo është e gabuar.
Çfarë dimë për Ioanni V.?
Sipas informacioneve të BILD, i dyshuari është Ioanni V., i lindur në Greqi. Sulmi brutal ndaj Serkan Çalarit thuhet se është regjistruar nga kamerat e sigurisë. Pamjet thuhet se tregojnë Ioanni V., një person i gjatë, i dobët, me flokë të gjatë shumë të zinj, i cili gjatë sulmit mbante kapuç.
Ioanni V. u lind në janar 2000 në Selanik (Greqi); prindërit e tij thuhet se janë shqiptarë. Vetëm gjashtë muaj para ngjarjes, ai ishte shpërngulur nga Greqia në Luksemburg. Në komunën Leudelingen (kantoni Esch an der Alzette, rreth 3000 banorë) kishte marrë me qira një dhomë në një shtëpi ku të rinjtë gjejnë strehim për disa muaj. Ai jetonte në apartamentin nr. 3.
Para derës së tij të mbyllur në katin përdhes ndodhet një tavolinë, ku janë grumbulluar letra për Ioannin – edhe nga policia. Bashkëbanorët tregojnë se ai kishte shpesh probleme me autoritetet, por nuk japin detaje.
“Ioanni ishte tip agresiv”
Ahmed Hamed (33, vjecc) jetonte ngjitur me të. Kur gazeta BILD e kontakton, ai mëson për herë të parë se fqinji i tij dyshohet se ka rrahur për vdekje kontrollorin Serkan Çalar. “Ioanni ishte tip agresiv, pas derës së tij kishte gjithmonë zhurmë. U grind me një tjetër fqinj dhe unë ndërhyra,” thotë Ahmed.
Para shtëpisë ndodhet ende makina e grekut, një Opel i zi. Automjeti është plot mbeturina. Në dysheme ka qese të rrudhura, një kuti cigaresh, një gotë kartoni dhe një bluzë të ndotur. Gomat janë shpuar dhe në xhamin e përparmë është një gjobë parkimi me datë 9 shkurt.
Greku kishte tre numra telefoni
Sipas banorëve, Ioanni ishte tip i mbyllur, që nuk dilte në mbrëmje dhe nuk kishte hobi. Megjithatë, ai kishte tre telefona celularë me tre numra të ndryshëm: një gjerman, një anglez dhe një nga Luksemburgu. Në profilin e tij në WhatsApp shfaqet një çift i moshuar që buzëqesh para kamerës.
Ioanni ka të afërm në Gjermani. Në Heidelberg jeton kushërira e tij, e cila thuhet se është infermiere. Ajo nuk dëshiron të flasë me median. Aktualisht Ioanni V. ndodhet në paraburgim në burgun e Zweibrücken-it, nën dyshimin për vrasje pa paramendim. Ai nuk ka bërë deklarata lidhur me akuzat.