Ishte pezulluar për doping, sportistja italiane fiton në apel dhe kthehet në garë
Biathletja italiane, Rebecca Passler, ka marrë dritën jeshile për të marrë pjesë në Milano-Cortina 2026 Ëinter Olympics pas vendimit të fundit të Gjykatës Kombëtare të Apelit të Nado Italia. Vendimi rrëzoi pezullimin e përkohshëm të saj, i vendosur pas një testi pozitiv për Letrozol më 26 janar, duke vlerësuar se përdorimi i substancës mund të ketë qenë i pavetëdijshëm ose një kontaminim aksidental.
Ky vendim i jep mundësi Passler-it të bashkohet me ekipin italian nga data 16 shkurt, duke qenë në dispozicion të stafit teknik për garat e radhës në programin olimpik. Flavio Roda, president i FISI, shprehu kënaqësinë për vendimin: “Federata mirëpret me kënaqësi rezultatin e ankimit që i mundëson Rebeca-s të rikthehet në dispozicion të skuadrës.”
Edhe vetë sportistja ndjeu lehtësim të madh: “Ishte një periudhë shumë e vështirë. Gjithmonë kam besuar në pastërtinë time. Falënderoj të gjithë ata që më ndihmuan, nga avokatët që ndoqën çështjen time, te Federata Italiane e Sporteve Dimërore, familja dhe miqtë e mi. Tani mund të përqendrohem 100% te biathloni,” tha Passler.
Rebecca Passler ka lindur në Brunico në vitin 2001 dhe është rritur në Anterselva. Ajo është një nga ‘yjet’ në ngjitje të biathlonit italian dhe pjesë e ‘Fiamme Oro’. Mbesë e legjendës olimpike Johann Passler, Rebecca ka trashëguar pasionin e familjes për sportin, duke regjistruar pesë podiume në Botëroret për të reja, përfshirë një të artë në stafetë në vitin 2022, si dhe rezultate të mira në Kupën e Botës.