Sa i gjatë është 'Kilometri i fundit' ?!?

Nga Bislim Ahmetaj/

Dje u takova me një profesor universiteti në pension dhe bëmë një copë rrugë bashkë.

Burrë me vlera dhe kontribute të çmuara profesionale dhe qytetare, rreth të shtatëdhjetë e pestave, i gjallë, aktiv,  i mbajtur mirë.

Ai ndër vite përveçse një profesor i nderuar, ka qenë një zë i spikatur si sindikalist dhe veprimtar në mbrojtje të kauzave universitare.

Natyrshëm, sapo u pyetëm për shëndetin dhe familjet direkt u hodhëm në temën e "dashur" të politikës, nga bëmat e zeza të qeverisë tek protestat e opozitës… pakënaqësitë dhe zhgënjimin nga lidershipi i Partisë Demokratike etj, etj, etj...

Përmbledhtazi biseda jonë u përqendrua tek protesta e datës 10 Shkurt dhe rezultatet që ajo prodhoj.

Ai nguli këmbë në të tijën, unë në timen.

U ndamë të pakënaqur që të dy nga argumentet dhe pretendimet e njëri tjetrit.

*

Ndërsa argumentet, pretendimet dhe emrin e profesorit të nderuar po i lë në heshtje. 

Po i bëj të njohura për lexuesit dhe ndjekësit vetëm disa prej argumenteve të mia:

Se pse "Kilometri i fundit" është i gjatë, i mundimshëm dhe i lodhshëm.

Pikërisht sepse "Kilometri i fundit" kërkon shumë  sakrificë, përkushtim dhe dinjitet.

#Sepse pikë së pari diktatura që kemi përballë nuk është diktaturë tipike ideologjike, por një diktaturë hibride e kamufluar si demokraci jo funksionale.

Në këto lloj diktaturash arroganca, krimi i organizuar, trafiku i drogës dhe gënjeve njerëzore, diplomacia e korruptuar, përçmimi i rregullit dhe ligjit gjenden të shkrira në një sistem funksional antivlerash. 

Shembull tipik është Shqipëria e dekadës së fundit, e ngjashme me diktaturat e vendeve të Amerikës latine si ajo e Kastros në Kubë, Noriegës në Panama, apo Maduros në Venezuelë. Diktatura dhe diktator  të mbështetura nga SHBA-të dhe të rrëzuara po nga Amerika.

#Së dyti këto lloj diktaturash  nuk rrezohen lehtë nga brenda, dmth nga qytetarët e saj, sado që ata nuk pajtohen aspak me to.

Shembujt më konkret të këtij fakti kryefortë janë  modelet aktuale të Moskës dhe Beogradit.

Në qoftë se në Moskë  përkohësisht thuajse janë të shuara shpresat për rrëzimin e Putinit, në Beograd ato janë të gjalla dhe të mbështetura masivisht nga qytetarët, kryesisht të rinj të udhëhequr nga rinia studentore. Sidomos pas incidentit në stacionit e trenit në Novisad, ku humbën jetën 13 persona.

Që nga 1 Nëntori të vitit 2024 dhe deri sot qindra mijëra student dhe qytetarë  kanë demonstruar nëpër të gjitha qytetet e Serbisë.

Janë plagosur, lënduar, arrestuar shantazhuar dhe intimiduar me qindra protestues dhe deri tani as Vuçiçi s’është dorëhequr, por as demonstruesit s'janë  dorëzuar.

Edhe pse Vuçiçi është “izoluar” disi nga perëndimi me deklarata, qëndrime dhe veprime konkrete, për shkak të përversitetit të diplomacisë, fshehur pas stabilitetit gjeopolitik, akoma atij nuk i është dhënë një ultimatum i qartë, nga perëndimi i tredhur dhe i korruptuar që nga aferat Epstein, e deri tek gazi dhe nafta e Putinit.

#Së treti për të arritur tek “Kilometri i fundit” në këtë maratonë të dhimbshme dhe dramatike,  shqiptarët kanë kaluar nëpër një kalvar maratonomak të pashoq në historinë e demokracive të reja të lindjes komuniste.

“Rilindja socialiste” kjo platformë antishqiptare, e përpunuar në laboratorët e errët të multimiliarderit Xhoxh Soros, e kishte të parashikuar çdo etapë për defaktorizimin e shqiptarëve në Ballkan.

*

#Po përmend vetëm disa prej tyre që kanë lënë shenjë në jetën e çdo familje shqiptare në këto 12 vite të implementimit të saj:

1- "Ballkanin e hapur", duke i dhënë fuqinë dominuese ekonomike dhe politike Serbisë dhe Presidentit të saj Aleksandër Vuçiç dhe duke u larguar Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut nga nisma gjermane e “Ballkanit Perendimor”.

2-  Shpopullimi masiv i Shqipërisë, krejtësisht i ngjashëm me platformën e akademikut serb Vasa Çubrilloviç, e cila u paraqit prej tij me 7 Mars 1937, platformë që u stopua gjatë pushtimit Italian dhe Gjerman të trojeve shqiptare dhe rinisi me regjimin e Titos dhe deri në '99, kur Kosova u çlirua nga ndërhyrja ushtarake e SHBA-ve dhe aleatëve të saj të NATOS.

Pasi në Kosovë amerikanët ja vunë Serbisë “kufinin te thana”, gjetën në Tiranë argatin e tyre të zellshëm dhe shih e shkruaj ...

Asnjë kryeministër serb nuk do ta zbatonte më mirë këtë platformë se sa Edi Rama.

Statistikat ja ulëritëse; të rinjtë, sipërmarrësit e vegjël dhe të mesëm, profesionistët (mjekë, inxhinier, mësues, laborantë, shoferë, mekanikë, punëtor krahu) kanë emigruar masivisht, që të gjithë të detyruar sipas metodave të platformës së Vasa Çubrillovicit, përshtatur me kushtet e sotme në laboratorin e Sorosit dhe zbatuar me përpikëri inxhinierike nga  Edi Rama dhe qeveritë e tij.

3- Blerja e krerëve të opozitës ose shantazhimi dhe demolimi i tyre përmes drejtësisë së “reformuar”, nis me rastin e  Lulzim Bashës dhe degradon  tek burgu shtëpiak i Sali Berishës dhe drejtuesve kryesor të partive të opozitës në prag të fushatës së zgjedhjeve, shembuj që tashmë i dinë edhe qorrat edhe të verbrit që nga fshati më i largët i Shqipërisë deri në Bruksel dhe Washington Dc.

4-Kontrolli absolut i tregut mediatik me moton: Ato që nuk i kontrollon 100% shantazhoj, denigroj, etiketoj, gjobiti, mbylli duke shkelur çdo ligjësi dhe parim.

5- Kontroll të plotë të gjitha institucioneve publike që paguhen nga taksat e qytetareve,  duke filluar nga Këshillat Bashkiak tek Presidenti i Republikës, nga Gjykatat e Shkallës së Parë tek ajo Kushtetuese, nga inspektori i thjeshtë tek kryeinspektori, nga polici tek kryepolici, nga specialisti tek Kryeministri.

6- Kontroll mbi çdo sektor të ekonomisë dhe biznesit duke i shantazhuar administratorët dhe pronarët e bizneseve me sloganin bolshevik: O me ne, ose do të nënshkruani falimentimin.

7. Qytetarëve të pa bindur që mbajnë krahun e opozitës,  tregoju burgun për një kotec pulash, për një faturë dritash ose ujë të papaguar, për një parkim të gabuar, apo për një këqyrje shtrembë të policit bashkiak dhe atij të rendit.

8- Atyre që rezistojnë dhe paraqiten më të pabindur, çoju "selam" me tritol nga bajrat, çelët, troplinët, xhabaftët, "X-ët" dhe "Ypsilonët" që të gjithë argat të KM-së në terren.

*

Këto  janë vetëm disa prej arsyeve që kanë  krijuar ambientin mbytës me njerëz të frikësuar, të trembur, të traumatizuar të cilët ose i kanë ikur Shqipërisë (më shumë se një milion për 10 vite) ose e kanë braktisur betejën për liri, demokraci dhe shtet ligjor.

#Ajo "pakicë" që nuk është dorëzuar dhe është rreshtuar në krah të Partisë Demokratike dhe të opozitës ka rezistuar.

#Ajo që akoma ka shpëtuar pa u bërë pis, që ka mbi një dekadë që përballet nëpër protesta, që ka mbajtur qëndrime antikonformiste nëpër media dhe rrjete sociale është pikërisht ajo që e ka sjellë diktaturën hibride të Edi Ramës në "kilometrin e fundit".

Duke  denoncuar çdo abuzim dhe vjedhje të saj në SPAK, në media, rrjete sociale dhe në të gjitha kancelaritë diplomatike, të cilat duhet theksuar që shpesh e më shpesh i kanë pasur veshët dhe sytë e mbyllur nga paratë e korrupsionit të qeverisë shqiptare.

#Kjo "pakicë" njerëzish të lirë janë pikërisht ata,  maratonomakët që do ta dorëzojnë këtë diktaturë të ligë dhe bizare.

#Ata janë vërtetë të lodhur, por po aq të vendosur.

#Ata shpesh herë janë zhgënjyer nga bashkëqytetarët e tyre, nga udhëheqësit e tyre,  nga diplomatët dhe shtetarët e vendeve perëndimore, por asnjëherë s'janë dorëzuar në misionin e tyre për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë, shtetin ligjor dhe Atdheun e tyre.

#Ndaj ata që e çuan kauzën qytetare të çlirimit nga diktatura e "Rilindjes socialiste" të Edi Ramës deri në "Kilometrin e fundit" sot e çdo ditë i bëjnë thirrje atyre që ju ka mbetur pak ndërgjegje, pak ftyrë, pak moral, pak energji pozitive, pak shpresë dhe besim që ti bashkohen "pakicës së maratonomakëve"

në mënyrë që finishi i  "Kilometrit të fundit" të mos i jetë i gjatë dhe i mundimshëm pa fund.

Finishi i "Kilometrit të fundit" mund të jetë edhe 20 Shkurti i Vitit 2026 edhe 22 Marsi i po këtij viti.

#Veçse kësaj radhe nuk kërkohet të rrëzojmë përmendore të bronzta, kësaj radhe duhet ti japim fund një diktature hibride që po e denigron njeriun dhe po e zhbën atdheun.

#Kësaj radhe duhet ti japim fund tranzicionit të gjatë dhe të mundimshëm.

#Kësaj radhe duhet të vendosim  që vetëm vota e lirë,  shteti ligjor dhe sundimi i ligjit  do të jenë zotërit e vendit tonë.

#Përndrysh "Kilometri i fundit" do të jetë jo vetëm i gjatë pa fund, por ai do të rëndoj si gur turpi në qafën e çdo shqiptari.