'Shqipëria nuk ka nevojë për një padishah që ulet gju më gju me popullin'

"Mund t’i duket pa kuptim kjo fjali Edi Ramës, po pas fitores aq të madhe në zgjedhjet e fundit, armikun më të madh tani ka vetveten e si ai edhe demokracia shqiptare."

I tillë është gjykimi i kryeredaktorit të Illyria-s, Ruben Avxhiu në një editorial të botuar së fundmi. "Shqipëria nuk ka nevojë për një padishah që ulet gju më gju me popullin dhe ua zgjidh hallet, - shkruan Avxhiu. -  Rama rrezikon t’u shëmbëllejë të gjitha karikaturave nga e kaluara me të cilët është tallur në jetën e tij parapartiake. Shqipëria ka nevojë për një sistem drejtësie e kërkese llogarie që funksionon. Për abuzime si ato që denoncoi dhe ndëshkoi Rama, duhet të veprojë jo “i pari i shtetit”, po hallkat e ulëta të kontrollit të administratës dhe sistemit juridik. Se si i bëhet me mijëra gjyshe e qindramijëra hallexhinj të tjerë që nuk kanë shansin t’u bjerë llotaria që ta takohen me Ramën?

Ndërmjet qytetarit të thjeshtë dhe kryeministrit duhet të ketë dhjetëra, në mos qindra mekanizma pushteti që duhet të funksionojnë për të vendosur rregull e drejtësi në administratë. Nëse puna vjen që duhet ta zgjidhë kryeministri atëhere sistemi ka dështuar dhe përgjegjës për sistemin është vetë ai që po merr meritën për përjashtimet...

...Më e keqja akoma, eliminimi i rëndësisë së hallkave të shtetit e pushtetit për të krijuar lidhjen direkte personale ndërmjet kreut të shtetit dhe “popullit” është përkufizimi i çdo diktature. Çdo mekanizëm apo figurë që qendronte mes Enver Hoxhës dhe “popullit” apo Stalinit, Maos etj dhe “masave punonjëse” ishte lehtësisht e çmontueshme apo e asgjësueshme. (Madje koha tregoi se lartësia nominale në pushtet, në kohën e komunizmit në Shqipëri, ishte shumë më e rrezikshme se notimi diku nga ujërat e ndenjura të niveleve të mesme të shkallës shoqërore. )

Sigurisht, pavarësisht nga akuzat për “bijtë e etërve”, “djemtë e bllokut” etj, Shqipëria e sotme nuk guxon të bëhet diktaturë sepse varet shumë nga marrëdhëniet me Perëndimin, që për momentin mund të tolerojë vetëm një autoritarizëm të lehtë. As nuk mund të themi se u vendos diktatura tani se Rama hoqi dy-tre funksionarë që mbase e meritonin të hiqeshin.

Mirëpo, shikoni funksionimin e skenës. Bëhet akuza publike në sy të kryeministrit. Nuk ka version të mbrojtjes. Nuk ka dëgjim të palës së akuzuar. Nuk ka pafajësi deri në provim të fajësisë. Nuk dihet nëse vetë shkarkimi është uzurpim i detyrës sepse nuk ka ndërhyrje apo opinion nga ministri apo drejtuesi përkatës që mund t’i takojë me ligj të bëjë shkarkimin.

...Po ashtu është e pashmangshme një periudhë fluturimi nga Rama pas vetëbesimit të marrë nga vota e jashtëzakonshme që ia dha pushtetin tërësisht në dorë.

Mirëpo, pikërisht sepse ai po bëhet tani një njeri kaq i fuqishëm në një vend si Shqipëria, ku parlamenti nuk shërben si drejtpeshues i pushtetit dhe ku gjykatat janë përpara një reforme të thellë, ku politika do të luajë rol, kryeministri Rama duhet të kuptojë se veprimet e tij do të lexohen me kujdes e do të shihen me lupë zmadhuese.... Mund t’i duket pa kuptim kjo fjali Edi Ramës, po pas fitores aq të madhe në zgjedhjet e fundit, armikun më të madh tani ka vetveten e si ai edhe demokracia shqiptare. Është në natyrën e sistemit."