'Premtime në letër'/ Banorët e Fierit: Pa drita sa herë bie shi, ujërat e zeza rrjedhin pranë banesave

Vetëm një kilometër larg qendrës së Fierit, familjet në fshatin Radostinës dhe Vadhizës përballen çdo ditë me kushte që nuk përkojnë me afërsinë e tyre me qytetin.

Sa herë që moti përkeqësohet, bie shi apo fryn erë, energjia elektrike ndërpritet për orë të tëra, duke lënë në errësirë dhjetëra banesa.

Sipas banorëve, problematika është e përsëritur dhe prej kohësh e denoncuar.

Atyre u është premtuar shtrimi i linjës 20 kilovolt, me afat përfundimi në fund të muajit mars. Por ndërsa jemi në mesin e shkurtit, punimet ende nuk kanë nisur dhe situata mbetet e njëjtë.

Banorët shprehen se ndërprerjet e shpeshta po u dëmtojnë pajisjet elektroshtëpiake dhe po u vështirësojnë jetesën e përditshme.

Por energjia elektrike nuk është i vetmi shqetësim. Një tjetër problem i mprehtë është mungesa e kanalizimit të ujërave të ndotura. Fshati rezulton pa sistem kanalizimesh, ndërsa ujërat e zeza rrjedhin pranë banesave, duke krijuar ndotje dhe rrezik serioz për shëndetin e banorëve.

Sipas tyre, situata përkeqësohet si në dimër, ashtu edhe në verë, kur aromat dhe prania e insekteve shtojnë frikën për përhapjen e infeksioneve. Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet përgjegjëse, duke theksuar se jetesa në kushte të tilla është e papranueshme, sidomos për një zonë kaq pranë qytetit.

Ata apelojnë për zgjidhje konkrete dhe jo më premtime, ndërsa presin që investimet e paralajmëruara të mos mbeten vetëm në letër.