Lezhë/ Përmbyten bodrumet e pallateve të reja në lagjen 'Besëlidhja'
Situata e rënduar nga përmbytjet është rikthyer sërish në bodrumet e pallateve të ndërtuara vitet e fundit në lagjen Besëlidhja në Lezhë, pas reshjeve të fundit intensive të shiut.
Ujërat e shiut kanë depërtuar në katet nëntokësore të ndërtesave, duke shkaktuar dëme materiale dhe duke vështirësuar jetesën e banorëve.
Sipas tyre, ky fenomen përsëritet pothuajse çdo herë që ka reshje me intensitet të lartë, çka e ka kthyer problemin në një shqetësim të përhershëm.
Qëndrimi i ujit për ditë të tëra në bodrume jo vetëm dëmton themelet dhe strukturën e pallateve, por krijon edhe rrezik për sigurinë, veçanërisht për fëmijët.
Banorët theksojnë se ndërtimet pa studime të plota dhe mungesa e masave mbrojtëse ndaj përmbytjeve janë ndër shkaqet kryesore të kësaj situate.
Si zgjidhje, ata shohin investimin e nisur prej muajsh për sistemin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza në të gjithë qytetin, duke shpresuar se përfundimi i tij do t’i japë fund këtij problemi të përsëritur.