Tiranë/ Mjeku rrihet në rrugë, autori akuzohet edhe për një kanosje tjetër dhe 3 vjedhje

Një mjek është dhunuar në rrugë në Tiranë për shkak të detyrës së tij. Në pranga u vu shtetasi me iniciale E. H., 28 vjeç, i cili rezultonte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Dhuna në familje”, masë të cilën e kishte thyer.

Sipas të dhënave, 28-vjeçari dyshohet se e ka goditur mjekun për motive që lidhen me profesionin e tij, duke e sulmuar në ambient publik. Pas verifikimeve të mëtejshme, rezultoi se ai është autor i dyshuar edhe i disa veprave të tjera penale gjatë muajit shkurt.

Ai dyshohet për një rast kanosjeje ndaj një shtetasi në banesën e këtij të fundit, si dhe për tre vjedhje: një në një banesë në Yzberisht dhe dy të tjera në kompani në zonën e fshatit Prush.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të të gjitha rasteve ku dyshohet se është përfshirë 28-vjeçari.

Njoftimi i Policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Eksponenti”, për kapjen e autorit të dyshuar të 7 rasteve të veprimtarive kriminale.

Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, dhe dhunoi një mjek, për shkak të detyrës, ndalohet 28-vjeçari në kërkim.

Ky shtetas, gjithashtu autor i dyshuar i 3 vjedhjeve dhe i një kanosjeje, të kryera gjatë muajit shkurt.

Menjëherë pas kallëzimit të një shtetasi, se për shkak të detyrës mjek, ishte dhunuar në rrugë, nga një shtetas, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 organizuan punën për lokalizimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat, në kuadër të operacionit “Eksponenti”, u ndalua shtetasi E. H., 28 vjeç, i cili nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Dhuna në familje”.

Gjithashtu rezultoi se ky shtetas, më datë 01.02.2026, ka kanosur shtetasin D. D., në banesën e këtij të fundit.

Më tej, dyshohet se shtetasi E. H., më datë 08.02.2026, ka vjedhur në një banesë në Yzberisht, ndërsa më datë 10.02.2026, ka vjedhur në 2 kompani në rrugën e fshatit Prush.

Punohet për zbardhjen dhe dokumentimin e të gjitha veprimtarive kriminale në të cilat mund të jetë përfshirë shtetasi E. H.