Arrestimi i Maduros/ Presidenti Trump nderon sot trupat speciale që prangosën liderin venezuelian
Donald Trump dhe bashkëshortja e tij Melania Trump do të takohen sot me personelin ushtarak amerikan që mori pjesë në operacionin që kapi Presidentin tani të rrëzuar të Venezuelës, Nicolas Maduro, efektivitetin e të cilit republikani nuk pushon së lavdëruari.
Mediat e huaja bëjnë me dije se, takimi do të zhvillohet në Fort Bragg, në Karolinën e Veriut, me të pranishëm ushtarë të forcave speciale dhe anëtarë të familjeve të tyre. U njoftua nga zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt. Në fund të janarit, presidenti amerikan iu referua operacionit për të kapur Presidentin Venezuelan Maduro, i cili tani është i burgosur në SHBA , ashtu si edhe gruaja e tij Celia Flores.
Ai e quajti atë një nga operacionet ushtarake më të shkëlqyera, më të shpejta dhe më vdekjeprurëse që janë kryer ndonjëherë. "Ne hymë në një bazë ushtarake shumë të madhe dhe të fuqishme me një grup patriotësh tepër të aftë që e duan vendin tonë", tha ai.
Në operacionin ushtarak amerikan që çoi në kapjen e Presidentit Maduro dhe Zonjës së Parë Flores, dihet se të paktën 55 persona u vranë, 23 ushtarë venezuelianë dhe 32 policë dhe personel ushtarak nga Kuba, ndërsa numri i të vdekurve civilë nuk është sqaruar deri më sot. Disa burime kanë folur për 70 deri në 80 të vdekur në total.
Uashingtoni thotë se po punon shumë ngushtë me qeverinë e re në Karakas, e cila përbëhet kryesisht nga bashkëpunëtorë të ngushtë të Presidentit të rrëzuar Maduro. Donald Trump ka shprehur vazhdimisht qëllimin e tij për të kontrolluar vetë shfrytëzimin dhe shitjen e naftës venezueliane që nga tani e tutje.