‘Nuk kemi luajtur mirë’, Flick pranon humbjen ndaj Atleticos, por kritikon ashpër VAR-in
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, pranoi pa justifikime humbjen e thellë ndaj Atletico Madridit në gjysmëfinalen e ‘Copa del Rey’, duke theksuar se pjesa e parë ishte vendimtare.
“Nuk kemi luajtur mirë. Duhet të mendojmë për ndeshjen e dytë”, tha Flick, duke shtuar se përmbysja do të jetë shumë e vështirë, por jo e pamundur. “Duhet të fitojmë 2-0 në pjesën e parë dhe 2-0 në të dytën. Do të jetë shumë e vështirë, por do të luftojmë”.
Tekniku gjerman pranoi se skuadra e tij nuk tregoi fytyrën që ai dëshiron të shohë: “Nuk kemi parë ekipin që unë dua në pjesën e parë”. Në pushim, ai u kërkoi lojtarëve të reagonin dhe të kërkonin portën kundërshtare. Megjithatë, Flick nuk i kritikoi futbollistët e tij: “Nuk jam i zhgënjyer me ekipin tim, jam krenar për sezonin që po bëjmë”. Sipas tij, Atletico tregoi më shumë forcë dhe uri për gol: “Sot nuk ka justifikime, por do të kthehemi”.
Flick u shpreh optimist për ndeshjen e kthimit: “Asgjë nuk është vendosur. Na duhen të gjithë tifozët në stadium dhe do të luftojmë 90 minuta për të shkuar në finale. Duam ta fitojmë”.
Nga ana tjetër, ai kritikoi ashpër VAR për anulimin e golit të Cubarsí. “Është çmenduri që u deshën shtatë minuta për të zgjidhur një situatë të tillë. Shtatë minuta, ju lutem!”, tha Flick, duke shtuar: “Kanë gjetur diçka për ta anuluar golin dhe nuk na shpjegojnë asgjë… Do të përpiqem ta pranoj, por nuk jam dakord”.