Real Madrid ‘shkel’ Barcelonën, ‘hipotekon’ Superkupën e Spanjës

Në “Camp Nou” u luajt ndeshja e parë finale e Superkupës së Spanjës mes Barcelonës dhe Real Madridit, shkruan SYRI.net.

Kampionët e Europës fituan bindshëm 3-1, duke hipotekuar trofeun.

Pjesa e parë mbyllet pa gola, ndërsa e dytë nis me zhbllokim rezultati. Pique shkakton autogol në minutën e 50-të dhe Real Madrid udhëheq 1-0 brenda në “Camp Nou”.

Barcelona shton presion dhe në të 76’ fiton një 11-metërsh, që shndërrohet në gol nga Lionel Messi. Barazim 1-1 dhe gjithçka nis nga e para në “Camp Nou”.

Por vetëm, 60 sekonda më pas Reali kalon në avantazh 2-1 me Ronaldon, i cili u fut në lojë në pjesën e dytë.

Portugezi del me karton të kuq, por janë sërish madrilenët që edhe pse me dhjetë vetë në fund realizojnë dhe golin e tretë, duke fituar 3-1 klasiken e parë.

Të mërkurën do të luhet në “Santiago Bernabeu” sfida e kthimit.