Rrëzim i frikshëm në Olimpiadën Dimërore, sportistja kineze transportohet me slitë emergjence

Momente ankthi në “Livigno Snow Park”, ku sportistja kineze Jiayu Liu pësoi një rrëzim të rëndë gjatë segmentit final të zbritjes së saj të dytë kualifikuese.

Për disa minuta, tribunat mbetën në heshtje të plotë, ndërsa mijëra spektatorë prisnin me tension lajme për gjendjen e saj.

Nënkampionia olimpike e “Pyeongchang 2018” humbi ekuilibrin në një nga uljet e fundit, pasi rrëshqitësja e saj ngeci në dëborë.

Me shpejtësi të lartë, ajo u përkul mbrapsht dhe mbeti e shtrirë, e palëvizshme në pistë.

Stafi mjekësor ndërhyri menjëherë për t’i dhënë ndihmën e parë, ndërsa sportistja u transportua me slitën e emergjencës jashtë pistës.

Sipas informacioneve të para, Liu do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të detajuara mjekësore.

Megjithatë, burime nga stafi mjekësor kanë bërë të ditur se është pak e mundshme të ketë dëmtim në shtyllën kurrizore cervikale.

Dyshimet e para lidhen me një goditje në kokë, e cila mund të ketë shkaktuar tronditje.

Gara u ndërpre për rreth 10 minuta për shkak të incidentit. Deri në momentin e rrëzimit, Liu renditej në vendin e 13-të dhe i nevojitej vetëm edhe një pozicion për të siguruar kualifikimin në finale. Në fund, ajo u klasifikua e 14-ta, pa pikë në zbritjen e dytë pas rrëzimit, ndërsa në të parën kishte grumbulluar 62.75 pikë.

Megjithatë, rezultati kaloi në plan të dytë. E gjithë vëmendja tashmë është përqendruar te gjendja shëndetësore e sportistes kineze, me shpresën që lajmet nga ekzaminimet mjekësore të jenë pozitive.