Hidhet shorti i Ligës së Kombeve, Shqipëria mëson kundërshtarët e Grupit C

Kombëtarja e Shqipërisë ka mësuar kundërshtarët për edicionin e ri të Ligës së Kombeve, ku do të garojë në Ligën C.

“Kuqezinjtë” janë shortuar në një grup të balancuar, që në letër ofron mundësi reale për të synuar rikthimin në Ligën B.

Në grup me Shqipërinë do të jenë Finlanda, Bjellorusia dhe San Marino.

Një përbërje që konsiderohet e favorshme për skuadrën shqiptare, duke parë diferencat në cilësi dhe eksperiencë ndërkombëtare.

Në letër, kundërshtari më i fortë pritet të jetë Finlanda, një përfaqësuese me eksperiencë në nivele më të larta dhe me paraqitje solide në vitet e fundit.

Ndërkohë, Bjellorusia mbetet një skuadër e paparashikueshme, që mund të hapë probleme nëse nënvlerësohet.

Sa i përket San Marinos, ajo konsiderohet kundërshtari më i lehtë i grupit, duke qenë edhe kombëtarja e fundit në renditjen e UEFA-s.

Çdo rezultat tjetër përveç fitoreve ndaj tyre do të konsiderohej hap fals për Shqipërinë.

Ndeshjet e para të këtij edicioni do të zhvillohen në muajin shtator.

Sipas formatit të garës, vendi i parë në grup siguron promovimin në Ligën B, ndërsa skuadra e vendit të fundit bie në Ligën D.

Objektivi i “Kuqezinjve” është i qartë: dominimi i grupit dhe rikthimi në një nivel më të lartë të Nations League.