Dega holandeze e Louis Vuitton gjobitet me 500,000 euro për pastrim parash
Dega holandeze e prodhuesit francez të mallrave luksoze Louis Vuitton pranoi të paguajë gjysmë milioni euro në një zgjidhje jashtë gjykatës bazuar në përfundimin e hetimit për pastrim parash, njoftoi sot Zyra e Prokurorit në Holandë.
Prokurorët thanë se shtëpia e modës nuk arriti të zbatonte Aktin Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit, pasi u zbulua se një grua 36-vjeçare, e dyshuar për lidhje kriminale, përdori emra të ndryshëm disa herë nga viti 2021 deri në vitin 2023 për të blerë "mallra luksoze nga shitës me pakicë si Louis Vuitton" me vlerë më shumë se dy milionë euro.
Prokurorët pretenduan se pas blerjes, gruaja e akuzuar i dërgoi çantat luksoze në Kinë për rishitje, në mënyrë që të dukej sikur të ardhurat e saj vinin nga tregtia e ligjshme.
Ajo dhe dy të dyshuar të tjerë, përfshirë një ish-shitës në një dyqan Louis Vuitton në Holandë, po hetohen për pastrim parash. Sapo mbërritën çantat e shtrenjta, shitësi e njoftoi gruan që të vinte t'i blinte ato dhe e paralajmëroi nëse blerja e saj i afrohej limitit të shpenzimeve që Louis Vuitton duhet t'ua raportojë autoriteteve si të dyshimtë.
"Louis Vuitton shkeli Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit... dhe nuk bëri mjaftueshëm për të parandaluar klientët e saj nga pastrimi i parave. Gjatë një periudhe të gjatë, ajo kompani nuk i identifikoi siç duhet klientët që vinin vazhdimisht për të shpenzuar shuma të mëdha parash", tha Zyra e Prokurorit në një deklaratë.
Kompania Louis Vuitton nuk ka komentuar ende për këtë rast.
Marrëveshja me degën holandeze të Louis Vuitton u arrit jashtë gjykatës "për të shmangur zënien e hapësirës së kufizuar të sallës së gjyqit të Gjykatës së Qarkut të Roterdamit", thanë prokurorët.