Tentoi të hidhej nga shtylla: Punonjësja tregon se si kompania e lidhur me Ervin Demon nuk i dha rrogën
Për gati dy orë e gjysmë, punonjësja e pastrimit të Bashkisë së Kuçovës, Elona Bregu, ka kërcënuar se do të vetëhidhej nga vinçi ku kishte hipur. Shkak për ndërmarrjen e këtij akti është mosmarrja e pagës prej dy muajsh dhe pushimi nga puna pasi kishte kërkuar të merrte rrogën. Në një lidhje telefonike për Syri TV, ajo fajëson kryetarin e Bashkisë së Kuçovës që nuk i ka dhënë zgjidhje, si edhe firmën “Viola Green”, kompania e cila sipas denoncimit të emisionit PLUG është themeluar dhe e lidhur me Ervin Demon, dikur kryebashkiak i Beratit, sot ministër i kabinetit qeveritar.
Syri TV
Një punonjëse e pastrimit në Bashkinë e Kuçovës ka tentuar të vetëhidhet nga vinçi, pasi e kishin larguar nga puna. Elona Bregu, 40 vjeçe, nënë e dy fëmijëve, kishte dy muaj pa marrë pagën nga kompania e pastrimit “Viola Green” dhe, teksa ka kërkuar të drejtën e saj për të marrë rrogat, është përballur me largimin nga puna. Në kushte të vështira ekonomike, pasi është e vetmja që punon sepse bashkëshorti është i sëmurë, Elona Bregu ka hipur në një vinç dhe ka kërcënuar të vetëhidhet. Në një lidhje telefonike për Syri TV, teksa ndodhej në vinç, punonjësja e pastrimit të Bashkisë së Kuçovës rrëfen kalvarin e vuajtjeve, duke fajësuar kryetarin e bashkisë, i cili nuk ka marrë masa për firmën e pastrimit që ka në varësi.
Pas gati dy orë e gjysmë dhe negociatave me policinë dhe punonjës të Bashkisë së Kuçovës, që kanë shkuar në vendin ku ndodhej punonjësja e pastrimit, Elona Bregu ka zbritur nga vinçi dhe fjalët e para kanë qenë se pret zgjidhje nga bashkia.
Por detajet që zbulohen për firmën e pastrimit janë skandaloze. Kompania që ka marrë tenderin e pastrimit në Bashkinë e Kuçovës është “Viola Green”, pra kompania që nuk paguan zonjën që kërcënoi me vetëvrasje. Ajo çka e bën skandaloze është fakti se, sipas denoncimit të emisionit PLUG në Syri TV, kjo kompani “Viola Green” është themeluar dhe e lidhur me Ervin Demon, dikur kryebashkiak i Beratit, sot ministër i kabinetit qeveritar. Kjo kompani ka marrë tenderin mbi 173 milionë lekë të rinj për këtë shërbim. Është kompani që përfitimet i ka pasur pikërisht nga tenderat që ka marrë nga bashki të ndryshme… pra miliona euro shkojnë për klientët e qeverisë me tendera, dhe në fund punonjësit lihen edhe pa u paguar.