Shantazhonte Klaus Shaqirin dhe politikanin e njohur, arrestohet gazetari Elio Laze

 Gazetari Elio Laze është arrestuar nga Policia e Tiranës, nën akuzën e gjobëvënies ndaj një punonjësi të administratës publike.

Sipas uniformave blu, 37-vjeçari, pronar i një portali online, dyshohet se ka shantazhuar me para zyrtarin e ISHP-së, Klaus Shaqiri, në këmbim të fshirjes së disa shkrimeve të publikuara për të.

Por jo vetëm Shaqiri është shantazhuar nga Elio Laze. Pjesë e sulmit politik i veshur ‘nën penkun’ e gazetarit ishte dhe deputeti i PD-së Belind Këlliçi. Të dy këta mësohet se i janë drejtuar Policisë së Tiranës duke bërë kallëzim.

Arrestimi i tij në zyrën e portalit u krye me vendim gjykate.

 “Shantazhoi një punonjës të administratës publike, për t’i marrë 5000 euro, që të fshinte nga portali që administronte disa shkrime që kishte postuar për të”, njoftoi policia.

Sipas burimeve, bëhet fjalë për dy artikuj ku përmendej zyrtari i ISHP-së, si dhe deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi. Dhe duket se sulmet ishin për llogari të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj. 

“E kam politike me Belindin dhe nuk i ndahem” mësohet të ketë thënë.

Arrestimi u realizua në kuadër të operacionit të koduar “Portali 1”, përmes një veprimi të simuluar të dorëzimit të parave. Në momentin e ndalimit, policia bëri me dije se 37-vjeçarit iu gjet një shumë parash, e cila u sekuestrua si provë materiale.

Ndaj Lazes rëndon akuza “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”. Sipas policisë, ai ka pasur edhe precedentë të mëparshëm penalë për armëmbajtje pa leje.