Dosja e Bankers/ GJKKO pranon pjesërisht ankimin e Ardit Keros, kthen llogaritë e ish-drejtorit të financave
GJKKO ka pranuar pjesërisht ankimin e Ardit Keros, ish-drejtor i financave në “Bankers Petroleum Albania”.
Me vendimin e ri, gjykata shfuqizon pjesërisht sekuestrimin e llogarive bankare të tij, duke urdhëruar kthimin e shumave monetare të bllokuara, ndërsa konfirmon pjesën tjetër të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Fierit.
Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Igerta Hysi, sot më datë 12.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 48 akti, datë 03.02.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit A.K: “Ankim kundër vendimit Nr. 62-2025-4590 (1309), datë 13.08.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, lidhur me kundërshtimin e vendimit të sekuestros”, si vijon:
1. Ndryshimin e vendimit Nr. 62-2025-4590 (1309), datë 13.08.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, në këtë mënyrë:
- Pranimin pjesërisht të kërkesës së shtetasit nën hetim A.K. - Shfuqizimin e pjesshëm të vendimit “Për sekuestrimin pranë bankave”, datë 18.07.2025, të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për pjesën që ka vendosur sekuestrimin pranë Bankës “***” të llogarive nr. ***, me balancë 327,060.55 lekë; nr. ***, me balancë 11,535 Euro; nr. ***, me balancë 1,653 Usd dhe pranë Bankës “***” të llogarisë nr. ***, me balancë 2,043 euro, në emër të shtetasit nën hetim A.K, i biri i A. dhe i Y., i datëlindjes ***, me Nr. ID ***.
- Kthimin e shumave të mësipërme monetare, shtetasit nën hetim A.K.
2. Miratimin e vendimit Nr. 62-2025-4590 (1309), datë 13.08.2025, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për pjesën tjetër.
3. Kundër vendimit mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të vendimit. U shpall në Tiranë, më datë 12.02.2026