SYRI TV/ Tensione në Kuvend, Peleshi ndërpret seancën, i mohon fjalën Berishës

Seanca e Kuvendit nisi me tensione të forta mes opozitës dhe mazhorancës, për shkak të mbrojtjes që socialistët po i bëjnë Belinda Ballukut. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paralajmëroi socialistët se nuk do të ketë rend ditë normal, për sa kohë nuk i heqin imunitetin zv.kryeministres, ndërsa theksoi se qytetarët do t’i japin përgjigje qeverisë së korruptuar në protestën e 20 shkurtit.

Kuvendi u përfshi nga tensione dhe debate të forta, ndërsa mollë sherri u bë imuniteti i Belinda Ballukut, të cilën socialistët vijojnë ta mbrojnë me fanatizëm. Që në nisje të parlamentit, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi socialistët se po mbrojnë vjedhjet e kryeministrit Edi Rama dhe të zëvendëses së tij, Belinda Balluku.

Kaq do të mjaftonte që kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, t’i mohnte fjalën liderit të opozitës.

Me rinisjen e seancës plenare, Berisha mori sërish fjalën për t’i ftuar qytetarët që më 20 shkurt t’i japin përgjigjen e merituar qeverisë Rama.

Kreu i selisë blu komentoi edhe propagandën qeveritare dhe aksionet arbitrare të policisë së shtetit, duke i krahasuar me ato të sigurimit të shtetit, ndërsa kujtoi procedimin penal ndaj Belind Këlliccit për protestën e 10 shkurtit, megjithëse ky i fundit ndodhej në SHBA.

Nga foltorja e Kuvendit, lideri demokrat denoncoi edhe dhunën policore ndaj protestuesve paqësorë, duke u përfshirë në replika me ministren e Brendshme, Albana Koçiu, e cila megjithëse pretendoi se gjatë tubimit u plagosën edhe policët, nuk diti të thoshte emrat e tyre.

Kreu i opozitës paralajmëroi se nuk do të ketë qetësi në Kuvend, për sa kohë që partia socialiste nuk pranon t’i heqë imunitetin Belinda Ballukut, për të cilën prej muajsh SPAK kërkon arrestimin.

Socialistët u munduan të largojnë vëmendjen nga fati politik i kolegëve të tyre, duke folur në parlament për fatin e liderëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Por Berisha e cilësoi këtë kërkesë një tentativë shpërqëndrimi, duke i bërë thirrje qytetarëve të reagojnë kundër një Parlamenti që është kthyer në zyrë avokatie për hajdutët.