SHBA: Presim të bashkëpunojmë me Qeverinë e re për të avancuar prioritetet e përbashkëta
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka mirëpritur themelimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së Kosovës pas rreth një viti bllokade.
Qeveria e re në krye me Albin Kurtin u votua mbrëmë me 66 vota për, teksa kundër ishin 49 vota.
Ambasada ka thënë se pret që të bashkëpunojë me qeverinë e re për paqen rajonale, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik, shkruan Reporteri.net.
“Ambasada e Shteteve të Bashkuara mirëpret formimin e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës. Ne presim të bashkëpunojmë me qeverinë e re për të avancuar prioritetet e përbashkëta, përfshirë paqen rajonale, stabilitetin dhe prosperitetin ekonomik të ndërsjellë”, thuhet në deklaratën e ambasadës.
Më 11 shkurt, deputetët e konstituuan Kuvendin e Kosovës, duke zgjedhur Albulena Haxhiun si udhëheqëse të re të organit ligjvënës.
Disa orë më vonë, u votua edhe Qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje – fitueses së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.