Zhupa: PS po mbron Ballukun do të rrëzojë ligjin për trashëgiminë kombëtare
Deputetja e PD-së, Ina Zhupa kërkon mbledhjen sa më parë të Këshillit të Mandateve për të shqyrtuar vonesë imunitetin e zëvendëskryeministres dhe ministres Balluku.
Në një prononcim për median para Kuvendit, Zhupa u ndal dhe tek pr/ligji i depozituar për trashëgiminë kombëtare. Ajo i bëri thirrje PS-së të votojnë edhe pse është skeptike pasi socialistët e kanë rrëzuar në komisione
Deklarata e Zhupës para kuvendit
Sa më shpejt të mblidhet Këshilli i Mandateve për shqyrtuar pa asnjë vonesë imunitetin e zëvendëskryeministres dhe ministres Balluku. Duke e parë që nuk ka një normalitet edhe një seancë normale, do të desha që ta shfrytëzoja këtë moment me ju për t'ju thënë edhe një çështje e cila është në rendin e ditës dhe bëhet fjalë për një projektligj të depozituar nga unë për trashëgiminë kulturore. Në fakt, mund të duket si një çështje e cila nuk prek drejtpërdrejt ndonjë interes qytetar, po në fakt prek të gjithë qytetarët. Edhe protesta e banorëve sot të Durrësit ishte në vazhdën e asaj që kërkon projektligji, sepse dhe aty trashëgimia publike, trashëgimia kombëtare, identiteti, historia i janë dhënë në dorë një privati, në rastin e tyre ADF-së, që ka vendosur të shkatërrojë prona, ka marrë amfiteatrin, të njëjtën gjë siç ka bërë dhe me Butrintin. Pra dhe pse duken tema që nuk kanë lidhje drejtpërdrejt me qytetarët, kanë lidhje më shumë se çdo temë tjetër me qytetarët, sepse mbrojnë identitetin, historinë, trashëgiminë dhe në rastin e banorëve të Durrësit mbrojnë edhe banesat e tyre.
Projektligji im parashikon që në çdo rast do të jetë shteti përgjegjës dhe garant për trashëgiminë kulturore. Në çdo rast, edhe në fondacione të krijuara posaçërisht, privati nuk do të mund të marri më shumë se 49% të këtij fondacioni. Kjo sepse e kërkon Kushtetuta. Kushtetuta thotë që garant për identitetin dhe për historinë dhe për trashëgiminë është shteti. Kjo sepse e kërkon konventa e Parisit, që thotë garant dhe raportuese në UNESCO janë shtetet palë. Pra, është një detyrim që na e jep Kushtetuta. Me sa kuptoj, socialistët duan ta rrëzojnë, siç e kanë rrëzuar në komisione, dhe arsyetimi është tërësisht qesharak.
Arsyetimi është që po e vendosëm me ligj, si t'ia bëjmë ne që rast pas rasti mund të na duhet t'ia japim ndonjë privati. Unë këtë pikërisht këtë dua të ndaloj, që mos të jetë Kushtetuta rast pas rasti. Kushtetuta zbatohet gjithmonë dhe në të gjitha rastet dhe nuk duhet të jetë në tagrin e një ministri apo një kryeministri që të zgjedhi rast pas rasti t'i japi Butrintin, t'i japi Gjirokastrën, t'i japi Durrësin, t'i japi Pallatin e Brigadave, t'i japi pasurinë publike të shqiptarëve. Kur jepet pasuria publike, përveç se cënohen elementet e identitetit, trashëgimisë dhe historisë, kemi dhe defiçit të madh në atë që përfiton shteti nga pikëpamja ekonomike.
Hiqet Kontrolli i Lartë i Shtetit, sepse fondet miksohen me privatin dhe duke pasur dominim privati, ti nuk i kontrollon dot. Hiqet kontrolli i tenderave nga Agjencia e Prokurimeve Publike, gjithçka ngelet në duart e privatit për pasurinë e shqiptarëve dhe për të ardhurat që duhet të ishin në buxhetin e shtetit. Uroj që mazhoranca, dhe pse s'kam asnjë shpresë, duke qenë se nuk ka asnjë argument për ta rrëzuar, ta miratojë. E kuptoj që interesat klienteliste të këtyre privatëve që do t'i shikojnë rast pas rasti janë shumë të mëdha dhe janë më të rëndësishme për ta se interesat e qytetarëve. Kurse ne qëndrojmë me qytetarët, qëndrojmë me qytetarët e Durrësit sot që protestuan, që i prek projekti TID nga ADF-ja, qëndrojmë me me protestuesit kudo që ju preket prona e tyre dhe mbi të gjitha ne qëndrojmë për të mbrojtur identitetin, historinë dhe trashëgiminë kulturore. Një kuvend që nuk pranon ta zbatojë Kushtetutën në asnjë pjesë të saj, unë nuk pres që ta zbatojë kur vjen puna te trashëgimia kulturore. Por ne do t'i bëjmë betejat dhe do t'i qëndrojmë atyre deri në fund.