Vijon shtrenjtimi i jetesës për shqiptarët: Rriten çmimet e konsumit dhe qiratë që...

Çmimet e konsumit në Shqipëri vijojnë të rriten, me qiratë që mbajnë peshën kryesore të inflacionit. Të dhënat e INSTAT tregojnë se norma vjetore e inflacionit në janar 2026 arriti në 2,3%, nga 1,9% një vit më parë. Në krahasim me dhjetorin 2025, çmimet u rritën me 0,4%.

Rritja e qirave lidhet me përhapjen e qiradhënies afatshkurtër në platforma online dhe me investimet në apartamente të cilat synojnë rikthim në treg me çmime më të larta.

Sipas INSTAT, grupet që ndikuan më shumë në rritjen vjetore janë “Argëtim, sport dhe kulturë” (+4,9%), “Qira, ujë, energji elektrike, gaz dhe karburante të tjera” (+4,4%) dhe “Sigurime dhe shërbime financiare” (+4,4%). Rritje të ndjeshme shënuan edhe ushqimet, pijet alkoolike, kujdesi personal dhe restorantet.

Nga ana tjetër, disa grupe shënuan luhatje mujore: për shembull, qiratë dhe energjia ranë lehtë në krahasim me dhjetorin, por kjo nuk ndryshon trendin vjetor që i mban çmimet në rritje.

INSTAT thekson se ndikimin më të madh në inflacion e dhanë qiratë (+0,87 pikë përqindje) dhe ushqimet (+0,61 pikë përqindje), ndërsa pjesa tjetër e grupeve dha kontribute më të vogla.