Diktatori Kim Jong Un ka zgjedhur vajzën e tij adoleshente si pasuese
Nga Jake Kwon, BBC
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka zgjedhur vajzën e tij si trashëgimtare, i tha të enjten deputetëve agjencia e inteligjencës së Koresë së Jugut.
Dihet shumë pak për Kim Ju Ae, e cila muajt e fundit është shfaqur krah babait të saj në evente të profilit të lartë, si vizita në Pekin në shtator – udhëtimi i saj i parë i njohur jashtë vendit.
Shërbimi Kombëtar i Inteligjencës (NIS) tha se mori parasysh “një sërë rrethanash”, përfshirë praninë e saj gjithnjë e më të dukshme në ngjarje zyrtare, për të arritur në këtë vlerësim.
NIS gjithashtu bëri të ditur se do të mbajë nën vëzhgim nëse ajo do të marrë pjesë në Kongresin e Partisë më vonë këtë muaj – ngjarja më e madhe politike e vendit, që mbahet një herë në pesë vjet.
Kongresi i Partisë është vendi ku pritet që Pheniani të japë më shumë detaje mbi prioritetet për pesë vitet e ardhshme, si politika e jashtme, planifikimi ushtarak dhe ambiciet bërthamore.
Të enjten, ligjvënësi Lee Seong-kwen u tha gazetarëve se Ju Ae, e cila më parë ishte përshkruar nga NIS si “duke u trajnuar” për t’u bërë pasardhëse, tani ka hyrë në fazën e “përcaktimit si trashëgimtare”.
“Meqë Kim Ju Ae ka shfaqur praninë e saj në ngjarje të ndryshme, përfshirë përvjetorin e themelimit të Ushtrisë Popullore Koreane dhe vizitën në Pallatin Kumsusan të Diellit, si dhe janë vërejtur shenja se ajo po shpreh mendime mbi politika të caktuara shtetërore, NIS beson se ajo tashmë ka hyrë në fazën e caktimit si trashëgimtare,” tha Lee.
Ju Ae është fëmija i vetëm i njohur i Kim Jong Un dhe bashkëshortes së tij, Ri Sol Ju. NIS beson se Kim Jong Un ka edhe një djalë më të madh, por ai nuk është pranuar kurrë zyrtarisht dhe nuk është shfaqur në mediat e Koresë së Veriut.
Lajmi për ekzistencën e Ju Ae doli fillimisht nga një burim i pazakontë: basketbollisti amerikan Dennis Rodman, i cili në vitin 2013 i tha gazetës The Guardian se kishte “mbajtur në krahë foshnjën Ju Ae” gjatë një vizite në shtetin sekret.
Ju Ae – që besohet të jetë 13 vjeçe – u shfaq për herë të parë në televizionin shtetëror në vitin 2022. Ajo u pa duke inspektuar raketën më të fundit balistike ndërkontinentale të Koresë së Veriut, duke mbajtur dorën e babait të saj.
Që atëherë, ajo është shfaqur shpesh në mediat shtetërore, duke zbutur imazhin e babait të saj si një diktator i pamëshirshëm. Ajo e shoqëroi atë në Pekin për paradën më të madhe ushtarake të Kinës, ku u pa duke zbritur nga treni i tij i blinduar në Stacionin Hekurudhor të Pekinit.
Ajo shihet shpesh me flokë të gjata – gjë e ndaluar për bashkëmoshataret e saj – dhe me veshje firmato, të paarritshme për shumicën e njerëzve në vendin e saj.
Një tjetër ligjvënës, Park Sun-won, tha se roli që Ju Ae ka marrë gjatë ngjarjeve publike tregon se ajo ka filluar të japë mendime mbi politikat dhe po trajtohet si udhëheqësja e dytë de facto.
Pushteti në Korenë e Veriut është trashëguar përmes tre brezave të familjes Kim, dhe besohet gjerësisht se Kim Jong Un do t’ia kalojë fronin Ju Ae-së.
Në muajt e fundit, ajo është parë duke qëndruar më drejt se babai i saj, duke ecur krah tij, në vend që ta ndjekë pas.
Në Korenë e Veriut, ku fotografitë e publikuara nga mediat shtetërore besohet se kanë peshë të madhe simbolike, është e rrallë që individë të tjerë përveç Kim Jong Un të paraqiten me po aq rëndësi në kornizë.
Megjithëse agjencia e inteligjencës së Koresë së Jugut tani beson se Ju Ae është trashëgimtarja e caktuar, kjo ende ngre pyetje.
Është e çuditshme pse Ju Ae, si vajzë, do të zgjidhej si trashëgimtare mbi një djalë më të madh në një shoqëri thellësisht patriarkale si Koreja e Veriut.
Shumë dezertorë dhe analistë më parë e kishin hedhur poshtë idenë e një gruaje që drejton Korenë e Veriut si një skenar të pamundur, duke iu referuar roleve tradicionale të rrënjosura të gjinisë në vend. Por motra e Kim Jong Un – Kim Yo Jong – ofron një precedent për autoritetin femëror në regjim.
Kim Yo Jong aktualisht mban një pozicion të lartë në Komitetin Qendror të Partisë së Punëtorëve të Koresë dhe raportohet se ka ndikim mbi vëllain e saj.
Megjithatë, mbetet mister pse Kim Jong Un, i cili është ende i ri dhe duket relativisht i shëndetshëm, po cakton që tani një fëmijë 13-vjeçar si trashëgimtar.
Nuk është e qartë se çfarë ndryshimesh mund të sjellë trashëgimia e Ju Ae për Korenë e Veriut.
Shumë koreano-veriorë kishin shpresuar se Kim Jong Un, një i ri i arsimuar në Perëndim, do ta hapte vendin ndaj botës kur mori pushtetin nga babai i tij.
Por kjo shpresë nuk u përmbush. Çfarëdo planesh që kjo adoleshente mund të ketë për vendin e saj, ajo ka gjasa të ketë pushtetin e vetëm për ta formësuar atë sipas dëshirës së saj.