Ndeshje e çmendur! Lazio fiton superkupën

U luajt Superkupa e Italisë mes Juventusit dhe Lazios, ndeshje e cila pati plot emocione deri në fund, shkruan SYRI.net.

Në stadiumin “Olimpico” të kryeqytetit italian Lazio fiton 3-2 ndaj Juves, ku golat në minutat e fundit ishin bukuria e kësaj sfide.

Në minutën e 31-të Lazio fiton një 11-metërsh. Immobile përballë Buffon nuk gabon dhe kalon bardhekaltrit në avantazh.

Immobile përsëri në pjesën e dytë trondit Juven. Sulmuesi i Lazios realizon golin e dytë në të 54’, duke dërguar ekipin e tij fare pranë trofeut.

Megjithatë Juventus nuk dorëzohet. Në minutën e 85-të shënon Dybala, duke rihapur ndeshjen.

Kampionët e tregojnë veten, duke arritur të barazojnë në minutën e 90-të me yllin argjentinas Dybala, i cili gjuan saktë nga pika e bardhë.

Por nuk mbarojnë me kaq emocionet. Lazio përsëri gjen golin në minutat shtesë. Murgia (90+3’) bën mrekullinë, duke i dhënë bardhekaltërve trofeun e Superkupës së Italisë. SYRI.net