'Gjak është derdhur në ato prona, me gjak do t'i mbrojmë'! Banorët e Baks- Rrjollit e Durrësit bashkë në protestë
Banorët e Baks Rrjollit në Velipojë dhe banorë të Durrësit po tentohet t’u merret prona pa u dakordësuar për shpronësimin. Ata janë bashkuar sot në protestë paralamentit. Atyre u kërkohet të largohen nga prona e tyre pa pasur një process të rregullt shpronësimi. Prek Molla, përfaqësues i banorëve të Baks-Rrjollit në Velipojë, ku do ndërtohet një resort dhe Senada Laçi, përfaqësuese e banorëve të Durrësit, banesat e të cilëve preken nga projekti TID dhe Unaza e Madhe për emisionin ‘Kafe Shqeto’ thonë se prapa këtyre projekteve fshihen interesa biznesi.
Senada Laçi tregoi se ndërkohë që Këshilli Bashkiak vendoste në rend dite miratimin e bonusit të qirasë, banorëve u kishte shkuar njoftimet për prishjen e shtëpive me afat datën 16 qershor, përpjekje për ti detyruar të pranojnë një fakt të kryer
‘Ishte, ishte një manovër shumë e shëmtuar, sepse në rendin e ditës ata e kishin vendosur një subvencion, pra miratimin, në fillim thoshte shqyrtimin, pastaj miratimin, pra ata de facto do e kalonin si miratim, pjesën e bonusit të qirasë për familjet e prekura nga projekti TID. E morën të mirëqenë që do prishen shtëpitë. Situata u agravua sepse po atë ditën ne na erdhën letrat, letrat për prishje. Ndërkohë shteti nuk na ka shpronësuar.
Ata thonë do të sjellim fadromën dhe ti mund të përfitosh nga bonusi i qirasë. Ku ndodh kjo? Është e jashtëligjshme. Unë jam në shtëpinë time me dokumentat e mia të rregullta, si 74 familje të tjera, këta thonë ikni ju sot për nesër sepse ne ju japim qira. Dhe prandaj ne u detyruam, dolëm në rrugë, bllokuam rrugën, patëm përplasje me drejtorin i cili e ka firmosur letrat e IMT-së, i kërkuam llogari. Është e patolerueshme. Ne nuk mund t'i pranojmë këto dhe s'do i pranojmë kurrë, derisa të ulemi në një tryezë.
Nga ana tjetër banorët e Baks-Rrjollit përballen me një betejë ligjore për vetë pronësinë e tokave të tyre. Përfaqësuesi i tyre, Prek Molla, shprehet se pronat e tyre po tentohet të tjetërsohen përmes dokumentesh që ai i cilëson si të falsifikuara.
“Ne kërkojmë thjesht që parlamenti të zhvillojë një hetim të posaçëm për këtë temë,” tha ai, duke kërkuar zbardhjen e së vërtetës.
“Nuk mund të krahasohet vlera e pronës në qendër me atë në periferi. Ne duam të qëndrojmë këtu ku kemi jetuar gjithë jetën. Është shtëpi, është investimi i jetës, me gjak janë marrë ato prona. Gjak është derdhur në ato prona dhe me gjak do t'i mbrojmë” tha Laçi, banore e Durrësit.