Banorët e Luzit bllokojnë rrugën e shkatërruar që lidhet me Fushë Krujën, Kalaja: Qytetarëve u rrezikohet jeta

Banorët e fshatit Luz kanë bllokuar sërish rrugën kryesore, duke shënuar protestën e tyre të pestë kundër gjendjes së mjeruar të infrastrukturës. Të revoltuar nga mosmbajtja e premtimeve dhe kalimi i pandërprerë i mjeteve të tonazhit të rëndë, ata kërkojnë një zgjidhje të menjëhershme, duke paralizuar qarkullimin në një prej arterieve kyçe për industrinë e ndërtimit.

Arsyeja e protestës është një segment rrugor 1.5 kilometra i gjatë, i cili, sipas banorëve, është kthyer në një burim rreziku. Mbi 2000 trajlerë dhe kamionë e përshkojnë çdo ditë, duke e shkatërruar plotësisht asfaltin. Kjo situatë vë në rrezik të përditshëm jetën e fëmijëve të shkollës 9-vjeçare "Gjergj Leka", të cilët detyrohen të kalojnë mes gropave dhe mjeteve të rënda pa pasur asnjë mbikalim. Aktivisti Aulon Kalaja tha për Syri tv se, “përveç rrezikut për jetën, gjendja e rrugës ka sjellë falimentimin e bizneseve lokale, ndërsa shtëpitë janë mbuluar nga balta dhe pluhuri”.

Përballë heshtjes së institucioneve, komuniteti ka vendosur të përshkallëzojë veprimet. Përveç bllokimit të rrugës, ata po përgatisin një peticion me katër pika drejtuar Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH). Kërkesat e tyre janë të qarta: ose devijimi i mjeteve të tonazhit të rëndë, ose rikonstruksioni i plotë dhe cilësor i rrugës. Nëse nuk marrin një përgjigje, banorët paralajmërojnë se do t'i drejtohen gjykatës dhe Prokurorisë së Posaçme (SPAK). "Të na shtrojnë rrugën. Kaq duam", shprehet njëri prej tyre, duke përmbledhur kërkesën themelore të të gjithë komunitetit.

Aulon Kalaja: Është protesta e pestë e banorëve të Luzit, edhe sot kanë dalë dhe kanë bllokuar rrugën, siç e shikoni edhe pas shpinës time. Janë radhët e kamionave, siç e shikoni edhe në fund të videos.

Janë banorë të cilët kanë dalë për hallin e vet. Pra, jemi në vitin 2026 edhe kërkojnë rrugë.  Ditën e sotme banorët kanë vendosur për të bërë edhe një peticion ARRSH-së, Autoritetit Rrugor Shqiptar, me disa çështje, sepse duke u konsultuar me avokatë dhe me inxhinierë rruge, del që kjo rrugë është e tipit D dhe nuk lejohen që të kalojnë kamionët e tonazhit të rëndë.

Pra, është një rrugë e cila duhet t'i shërbejë banorëve të fshatit ose kryesisht si unazë e qytetit të Fushë-Krujës, por këtu, siç e dini dhe e kemi denoncuar dhe herë të tjera, kalojnë rreth 2000 trajlerë në ditë.

Çdo fëmijë, çdo ditë, i duhet të kalojë rrugën këtu. Nuk ka asnjë mbikalim për t'i çuar te shkolla. Rrezikon jetën. Pra, dua t'ju them që kalamajtë kalojnë këtu dhe këtu kalojnë dhe 2000 trajlerë.

Zgjidhja që i kanë dhënë rrugës këta deri tani është e papranueshme teknikisht. Të vijë inxhinieri më i mirë i rrugëve në botë këtu, në rast se e kualifikon këtë rrugë që të kalojnë makinat, unë pastaj tërhiqem, edhe të gjithë banorët. Ka dhe një problem tjetër këtu, që janë bizneset që janë gjatë gjithë rrugës, pra 1.5 km rrugë. Bizneset janë të gjitha të falimentuara. Lavazhi është i falimentuar, dyqani ushqimorja është e falimentuar, se në lavazh s'ka kush të lajë makinën se do dali në gropa. Edhe ai që ka servisin, apo çdo biznes tjetër që ka këtu, të gjithë fasadat e shtëpive janë me baltë, dhe ka dhe një gjë tjetër, trotuaret janë prishur sepse makinat e tonazhit të rëndë kalojnë në trotuare tani, ngaqë është prishur rruga dhe kanë hyrë nëpër trotuare.