Çmimet e ilaçeve ‘shpërthejnë’ brenda natës/ Goma: Pacientët rrezikojnë të mbeten pa barna, ne drejt falimentit
I ftuar në emisionin "Kafe Shqeto", Dëfrim Goma, Presidenti i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë foli mbi situatën e krijuar nga ndryshimi i papritur dhe i pa paralajmëruar i çmimeve të barnave në Shqipëri.
Goma theksoi se farmacistët u gjendën përpara një fakti të kryer më 1 shkurt, kur zbuluan se çmimet e rreth 40 barnave, kryesisht ato të listës së rimbursimit, ishin ndryshuar pa asnjë njoftim paraprak. Ai theksoi se kjo ka sjellë një kaos të madh në treg, duke dëmtuar financiarisht farmacitë dhe duke rrezikuar furnizimin e pacientëve me barna jetike.
Goma kërkoi masa urgjente dhe transparente nga institucionet përgjegjëse, pasi kjo situatë ka sjellë dhe mungesën e barnave në treg, duke u bërë kërcënim për shëndetin e shumë pacientëve, veçanërisht pensionistëve dhe atyre me sëmundje kronike.
Pjesë nga deklarata:
Ishte plotësisht e saktë sepse realisht farmacistët më 1 shkurt u gjendën përpara një fakti të kryer. Kur shkuan në farmaci, hapën sistemin me të cilin punojnë për barnat me rimbursim dhe vërejtën se çmimet e barnave kishin ndryshuar. Jo të gjitha barnat, por bëhet fjalë për rreth 40 barna për momentin. Ajo që është shqetësuese është se ndryshimi i çmimeve është bërë pa asnjë lloj njoftimi dhe paralajmërimi paraprak, që farmacitë të mund të merrnin masat e nevojshme, nëse do kishin stok të këtyre barnave, për t’i tregtuar ato në kohë dhe për të shmangur humbjet. Pa konsultim, jo vetëm pa njoftim, por edhe pa paralajmërim paraprak, që çmimet do të ndryshonin në këtë datë apo në atë datë. Dhe më e keqja, as depot nuk ishin njoftuar, por u njoftuan shumë ditë më vonë. Pra, u krijua një kaos ditët e para, sepse, përtej mallit që ishte në stok dhe që ishte blerë me çmimet më të shtrenjta para aplikimit të këtyre çmimeve, edhe gjatë ditëve të para të aplikimit, depot vazhdonin t’i tregtonin barnat me çmimet e vjetra. Pra, farmacitë vazhduan të punonin me humbje, duke i blerë më shtrenjtë dhe duke i tregtuar më lirë.
Sigurisht, Fondi është i përfshirë. Sepse Fondi nuk është një institucion që duhet të marrë masa, qofshin për çmimet, barnat, apo sektorët e tjerë që përfshin, në mënyrë drastike dhe të menjëhershme në dëm të interesave të profesionistëve. Dhe ajo që është akoma më e dëmshme, ky veprim ka sjellë dëmtim të interesave të pacientëve. Në fund të fundit, e kemi thënë vazhdimisht që të gjitha profesionet e shëndetësisë ekzistojnë në interes të pacientëve.
Nëse ky fenomen, i cili ndodh për të disatën herë, do të vijojë të aplikohet me të njëjtën mënyrë – pra, prapë pa asnjë lloj paralajmërimi, njoftimi paraprak dhe pa asnjë lloj kompensimi për humbjet – të gjitha ato farmaci që bazojnë punën e tyre kryesisht në rimbursim, do të shkojnë drejt falimentimit të padiskutueshëm. Sepse farmacia, në fund të fundit, pavarësisht se është një njësi shërbimi ku farmacisti jep informacion dhe këshillat e duhura ndaj pacientëve, është edhe biznes, dhe nuk ekziston as teorikisht, as praktikisht, asnjë lloj biznesi në botë që të punojë me humbje.
Por ajo që, siç ju thashë, është duke vazhduar dhe ka dhënë efekte tashmë, është se aplikimi i këtyre çmimeve në mënyrë të pa studiuar dhe të pakonsultuar me faktorë të tjerë, siç janë prodhuesit, importuesit apo shpërndarësit, ka sjellë atë që ne e paralajmëruam që në fillim: mungesën e shumë barnave nga lista në treg. Ka barna që mungojnë, madje edhe të gjitha alternativat e barnave në treg. Nuk ka asnjë kompani që është e interesuar të punojë me humbje, kur ti i dikton çmimin e barnit dhe do ta sjellësh me atë çmim. Barnat nuk janë mallra luksi për të cilat ne duhet të diktojmë domosdoshmërisht çmimet që duam. Barnat janë të domosdoshme, janë jetike për shëndetin e popullatës, dhe kur bëhet fjalë për to, duhet që të sigurohet efikasiteti, cilësia dhe siguria e tyre, dhe të jenë të kontrollueshme nga të gjithë.