Tradita olimpike vazhdon, gati 10 mijë prezervativë për sportistët në Lojërat Dimërore, por më pak se...
Një traditë e veçantë e Lojërave Olimpike po vazhdon edhe në Milano-Cortina 2026. Ashtu si në edicionet e mëparshme, në fshatrat olimpike po shpërndahen falas prezervativë për sportistët, si pjesë e masave parandaluese për shëndetin.
Deri tani, organizatorët kanë vënë në dispozicion rreth 9.700 prezervativë për atletët që marrin pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore në Itali. Këto produkte mbajnë edhe logon e Rajonit të Lombardisë. Organizatorët kanë sqaruar se, nëse do të jetë e nevojshme, do të sigurohen furnizime shtesë gjatë gjithë kohëzgjatjes së aktivitetit.
Megjithatë, kjo shifër është shumë më e ulët krahasuar me Lojërat Olimpike të Parisit 2024, ku u shpërndanë rreth 300.000 prezervativë. Në atë edicion, mesatarja ishte rreth dy prezervativë për sportist në ditë. Në Milano-Cortina, deri tani, mesatarja është rreth tre prezervativë për çdo sportist për të gjithë periudhën e Lojërave.
Shpërndarja e prezervativëve në Olimpiadë është një praktikë që ka nisur që nga Lojërat e Seulit në vitin 1988. Kjo traditë u ndërpre vetëm gjatë Lojërave të Tokios në vitin 2021, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Tani ajo është rikthyer sërish, duke u konsideruar si pjesë të kujdesit për shëndetin e sportistëve gjatë eventit më të madh sportiv në botë.