Piloti ukrainas sfidon KON-in me kaskën përkujtimore, presidentja Coventry kërkon dialog

Një debat i fortë ka shpërthyer në Lojërat Olimpike Dimërore rreth pilotit ukrainas të skeletonit, Vladyslav Heraskevych. Ai dëshiron të garojë me një kaskë ku janë vendosur imazhet e 24 sportistëve ukrainas të vrarë gjatë pushtimit rus, si një formë homazhi për ta. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (KON) po përpiqet ta bindë personalisht sportistin që të mos e përdorë këtë helmetë në garë.

Presidentja e KON-it, Kirsty Coventry, do të jetë e pranishme në pistën e skeletonit për të dialoguar me Heraskevych. Megjithatë, qëndrimi i KON-ut mbetet i lidhur me rregullin 50 të Kartës Olimpike, i cili ndalon çdo manifestim politik, fetar apo racor në ambientet olimpike. Organizata e ka lejuar sportistin ta përdorë helmetën gjatë stërvitjeve, që nuk transmetohen në televizion, por jo gjatë garës zyrtare.

Gjatë ditëve të fundit janë zhvilluar negociata intensive mes palëve, ku janë përfshirë edhe autoritete të larta politike. Raportohet se në diskutime ka marrë pjesë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndërsa janë zhvilluar takime mes përfaqësuesve të Italisë dhe Ukrainës, si dhe ndërhyrje nga vende të tjera që mbështesin gjestin e sportistit.

Heraskevych ka reaguar në rrjetet sociale, duke theksuar se për të sakrifica e personave të përfaqësuar në helmetë ka më shumë vlerë se çdo medalje. Ai ka akuzuar gjithashtu KON-in për “hipokrizi”, duke përmendur një rast tjetër ku një sportisti izraelit iu lejua të mbante një simbol përkujtimor gjatë ceremonisë së hapjes. Sipas tij, rregullat duhet të zbatohen njësoj për të gjithë.