Përplasën mjetin e policisë/ 4 të arrestuar në Elbasan, i gjejnë 41 kg kanabis e kallashnikov

Katër shtetas, Arben Guçe, 31 vjeç, Elion Qeva, 29 vjeç, Fran Pjetra, 35 vjeç dhe Mark Muraca, 31 vjeç, janë arrestuar në Elbasan, pasi dyshohen se vepronin në bashkëpunim për sigurimin, transportimin dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike në disa qytete të vendit, nga veriu në jug, si dhe për trafikimin e tyre jashtë Shqipërisë.

Sipas të dhënave, Mark Muraca, banues në Shkodër, dyshohet se ka vënë në dispozicion automjetin e tij për transportimin e lëndës narkotike.

Gjatë ndalimit, Arben Guçe ka kundërshtuar forcat e rendit dhe, në tentativë për t’u larguar, ka përplasur një mjet shërbimi.

Nga kontrolli në automjetet e përdorura prej tyre u gjetën dhe u sekuestruan 41 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një armë zjarri kallashnikov me 32 fishekë luftarakë, 2 automjete dhe 2 aparate celularë. Lënda narkotike dyshohet se po transportohej drejt Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Thanë.

Ndaj të arrestuarve rëndojnë veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Njoftimi i Policisë:

DVP Elbasan

Goditet një grup kriminal që shiste lëndë narkotike në disa qytete të vendit, nga veriu në jug.

Finalizohet pas disa javësh hetime operacioni policor i koduar “Jug & Veri”.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 3 shtetas, të dyshuar për trafikim të lëndëve narkotike dhe armëve.

Gjithashtu, vihet në pranga një tjetër bashkëpunëtor, i cili ka vënë në dispozicion automjetin e tij, në të cilin u gjet lënda narkotike Cannabis Sativa.

Gjatë ndërhyrjes, njëri nga drejtuesit e automjetit (i arrestuar), ka kundërshtuar punonjësit e Policisë dhe, gjatë tentativës për t’u larguar, ka dëmtuar mjetin e shërbimit të Policisë.

Sekuestrohen 41 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, 1 armë zjarri kallashnikov me municion luftarak, 2 automjete dhe 2 celularë.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Elbasan, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, pas një hetimi disa javor me metoda speciale hetimi, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Jug & Veri”.

Si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit:
 A. G., 31 vjeç,
E. Q., 29 vjeç,
F. P., 35 vjeç.

Në vijim të veprimeve hetimore u bë i mundur ndalimi me iniciativë i shtetasit: M. M., 31 vjeç, banues në Shkodër, i cili dyshohet se ka vënë në dispozicion automjetin e tij shtetasit F. P., me qëllim transportimin e lëndës narkotike.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin dhe transportonin sasi të konsiderueshme lënde narkotike Cannabis Sativa, me qëllim shpërndarjen dhe shitjen e saj në disa qytete të vendit, nga veriu në jug, si dhe trafikimin jashtë territorit të Shqipërisë.

Gjatë ndërhyrjes së Policisë, në unazën e qytetit të Elbasanit, drejtuesi i automjetit, shtetasi A. G., ka kundërshtuar punonjësit e Policisë dhe, gjatë tentativës për t’u larguar, ka dëmtuar mjetin e shërbimit të Policisë.

Nga kontrolli në automjetin me drejtues shtetasin A. G. dhe pasagjer shtetasin E. Q., u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri kallashnikov, së bashku me 32 fishekë luftarakë, e cila dyshohet se do të trafikohej.

Ndërsa në automjetin tip “Volkswagen Golf”, me drejtues shtetasin F. P., u gjet dhe u sekuestrua 41 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e cila dyshohet se transportohej me qëllim trafikimin drejt Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Thanë.

Shtetasi F. P. dyshohet se ka transportuar lëndën narkotike nga Shkodra drejt Elbasanit, në bashkëpunim me dy shtetasit e tjerë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 41 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, 1 armë zjarri kallashnikov me municion luftarak, 2 automjete dhe 2 aparate celularë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”, “Trafikimi i narkotikëve”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.